Hekurudha: Vendorët, të prishin kalesat e paligjshme, ato më të domosdoshmet t’i legalizojnë
DURRES, 29 qershor 2013 – Aksidentet në linjat hekurudhore nga ato pak trena që qarkullojnë janë shtuar kohët ë fundit. Shkak për këtë është bërë amortizimi i shinave, por edhe kalesat e paligjshme të ndërtuara në të gjithë gjatësinë e linjave hekurudhore.
Ngjarja më e fundit, ku dy pushuese nga Maqedonia u përplasën nga treni i linjë Tiranë-Elbasan, riktheu sërish vëmendjen e drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave Shqiptare drejt linjave të hekurta.
Për drejtuesit e infrastrukturës hekurudhore, aksidentet tragjike në linjat e hekurta mund të ndalen, nëse bashkëpunimi mes pushtetit lokal, policisë dhe hekurudhave do të funksiononte.
Edmond Dobi, drejtori i infrastrukturës së përgjithshme pranë DHSH-ës, pohon se ka ardhur koha që mbikalimet e paligjshme të prishen, ndërsa disa prej tyre të legalizohen dhe te pajisen me personel kontrolli e sinjalistikë të duhur me qëllim që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
“Njësitë vendore duhet të ndërhyjnë për shembjen e të gjithë kalesave të paligjshme dhe bllokimin e tyre me mure mbrojtëse për t’i bërë ato jo-funksionale, ndërsa pjesa tjetër të cilat mund t'i shërbejë më mirë komunitetit të legalizohen e të pajisen me personel e sinjalistikën e duhur”, -tha Dobi.
Sipas të dhënave të nxjerra nga drejtues të hekurudhës kohët e fundit, rezulton një kalesë e paligjshme në çdo 1,7 kilometra hekurudhë. Situatë më alarmante paraqitet në linjën hekurudhore Durrës–Tiranë, por edhe në zonat turistike, ku numërohen plot 120 kalesa të ndërtuara pa leje dhe jashtë kushteve teknike. Por, mungesa e një studimi të mirëfilltë për këtë situatë nga ana e drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave Shqiptare, tregon se fenomeni po rritet çdo ditë e më shumë. Ndaj, me të drejtë banorët shprehen se, intitucionet përkatëse duhet të marrin masa për t’i dhënë një zgjidhje konkrete problemit, i cili në çdo kohë mund të marrë jetë njerëzish.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





