TIRANE, 29 qershor 2013 – Zëdhënësi i ish-kryeministrit britanik, Tony Blair thotë se ai do të këshillojë qeverinë e majtë falas. Takimi i majit i Ramës në Londër dhe pranimi entuziast i Blair për të këshilluar Shqipërinë

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair pritet që të këshillojë qeverinë e Ramës.

“Nëse ne do të bëjmë punë me qeverinë e re, do të jetë pa përfitim”,- tha Ciaran Ward, zëdhënësi i Blair për BIRN. Ai theksoi se nuk ka ende një kontratë të firmosur. “Tony Blair i dërgoi urimet më të ngrohta Edi Ramës për fitoren e tij. Siç ne kemi thënë më parë, do të jemi të lumtur të punojmë me qeverinë e re”,- shtoi Ëard. Ish-kryeministri britanik dhe lideri i Partisë Laburiste bëri një marrëveshje në maj me liderin e PS, i cili do të bëhet kryeministër për këshillimin e Shqipërisë në thithjen e investimeve të huaja, promovimin e turizmit dhe integrimin në BE. “Vullneti i Blair për të ndihmuar Shqipërinë nuk ka çmim sa i përket të mirave që do të sjellë. Kontrata nuk do të rëndojë në xhepat e taksapaguesve shqiptarë”,-tha Rama pas takimit me Blair në zyrën e tij në qendër të Londrës. Në një video të shpërndarë nga Partia Socialiste muajin e kaluar tregoi një Blair entuziast teksa i thoshte Ramës: “Do të jem shumë i lumtur t’ju ndihmoj ju; jam shumë i interesuar për vendin tuaj”.

Tony Blair ka treguar interes të hershëm në Ballkan. Në vitin 1999, së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, udhëhoqën 78 ditët e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e të fortit ish-jugosllav, Sllobodan Millosheviç. Të dielën, koalicioni i majtë i udhëhequr nga Rama arriti një fitore bindëse në zgjedhjet e përgjithshme, duke siguruar 84 nga 140 vendet e parlamentit. Nëse Blair do të këshillojë qeverinë e re, ai do të ndjekë gjurmët e ish-këshilltarit të tij, Alaistair Campbell, i cili drejtoi fushatën e suksesshme të socialistëve. Sipas zëdhënësit të PS-së, Endri Fuga, ndihma e Campbell ishte gjithashtu falas.

“Ai është një mik me të cilin shkëmbejmë këshilla dhe ai e bën këtë, pasi ai beson tek e majta”, – tha Fuga në një deklaratë në maj.

Spin-doctori i Partisë Laburiste u ndje në ekstazë për rezultatin e zgjedhjeve të së dielës. “Duket si fitore dërrmuese e Edi Ramës dhe e koalicionit të PS-së në Shqipëri. Më pëlqejnë fitoret dërrmuese. Ishte mirë të punoja me ju djem”,-shkruajti ai në Twitter.

/Marrë nga BIRN/