TIRANE, 29 qershor 2013 – Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka apelon për riorganizim të së djathtës pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit teksa propozon shkrirjen e disa partive të djathta me Partinë Demokratike. Në një prononcim për "GSH", Ndoka theksoi dje se është domosdoshmëri ndërtimi i një strategjie të përbashkët me partitë e tjera të djathta. 

"Duhet një analizë e gjithanshme mbi rezultatin e zgjedhjeve. E djathta duhet të mendojë seriozisht mbi zgjerimin e bazës së vet, riformatim të Partisë Demokratike, shkrirje të disa partive në PD dhe ndërtimi i një strategjie të përbashkët me partitë e tjera të djathta. Partia Demokratike qeverisi vendin për 8 vite, 4 vitet e para ishin histori suksesi por 4 vitet e dyta ishin problematike.

PDK ka rikonfirmuar rezultatin e vitit 2009 ndaj i dha koalicionit më shumë se sa i mori. Mbetemi një parti parlamentare me besimin për t'u rritur dhe forcuar më tej. Edhe për alternativën kristiane është një moment reflektimi për një analizë dhe mundësi bashkimi i të gjithë faktorëve dhe një riformatim i ri", – deklaroi kreu i PDK, Ndoka.