Ekskluzive / “Dyrrah”-u boton dokumentin / Kështu sekretarja e Shtetit Hillari Klinton më 11 janar 2010 miratonte emrat e Altin Xhepës, Petrit Sulkajt dhe Flamur Gashit për kursin mbi teknikat e survejimit dhe luftës kundër krimit të rrugës
Në foto: (majtas) Dritan Dajti në gjyq, (djathtas) Saimir Duçkollari.
DURRËS, 28 qershor 2013 – Të gjitha mediet shqiptare kanë njoftuar më 27 dhe 28 qershor 2013 se oficeri i policisë Flamur Gashi është akuzuar në seancë gjyqësore nga i dyshuari i masakrës së Durrësit (7 gusht 2009) Dritan Dajti si autor i vrasjes së kolegut të tij të njësisë së operacioneve speciale Saimir Duçkollari.
Ndërkaq, në Wikileaks gjendet një kabllogram jo-sekret i ish-sekretares amerikane të Shtetit Hillari Klinton (Hillary Clinton), që daton 11 janar 2010, pesë muaj pas masakrës së 7 gusht 2009, që hedh dritë mbi faktin se Flamur Gashi, i datëlindjes 9 gusht 1974, është miratuar për t’u trajnuar me fondet e qeverisë amerikane në një kurs 10-ditor në Tiranë mbi teknikat e survejimit dhe luftës kundër krimit të rrugës (Surveillance Techniques and Street Survival Course).
Kursi filloi po atë ditë që u dërgua kabllogrami, më 11.1. 2010 dhe vazhdoi deri më 22.1.2010.
Verifikimi
Është interesant fakti që lista emërore e 20 kursantëve, pjesëtarë të njësisë së operacioneve speciale të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit është miratuar nga vetë zonja Klinton, pasi ajo ka marrë informacion se kandidatët e përzgjedhur për trajnim nuk janë implikuar në shkeljen e të drejtave të njeriut (“Departamenti i Shtetit ka verifikuar personat e treguar në telegramin referues dhe nuk ka informacion negativ të besueshëm deri më 11.1.2010”).
Mes listës emërore figurojnë emrat e të paktën tre dëshimtarëve në procesin maratonë të Dritan Dajtit: Altin Xhepa, Petrit Sulkaj dhe Flamur Gashi.
Ligji i Verifikimit
Ligji Leahy apo dispozita Leahy është një kushtëzim në legjislacionin e Kongresit amerikan për ndihmën ndaj shteteve të huja, ku kërkohet respektimi i të drejtave të njeriut. Ligji Leahy ndalon dhënien e asistencës ushtarake amerikane për ato njësi ushtarake të huaja (jo-amerikane) që , që shkelin të drejtat e njeriut dhe nuk janë ndëshkuar për këtë krim. Ligji është quajtur Lehi, sipas emrit të sponsorit kryesor të tij, senatorit Patrik Lehi.
Ligji i parë u përdor për herë të parë në vitin fiskal. Meqenëse është e pamundur të dihen në praktikë emrat e individëve të cilët kanë shkelur të drejtat e njeriut, qeveria amerikane zbaton ligjin duke ekzaminuar historinë e të drejtave të njeriut për një njësi ushtarake deri në nivel brigade me afër 3 mijë ushtarë.
Çdo ambasadë amerikane zbaton një “procedurë verifikimi” (vetting procedure) për të shqyrtuar “cv”-të e atyre reparteve ushtarake, të cilave u është propozuar asistencë.
5 dhjetor 2011
Megjithatë, emri i z. F. Gashi nuk është përmendur vetëm më 27 qershor 2011.
Vetë i akuzuari, Dritan Dajti, në seancën e 5 dhjetorit 2011, mes të tjerave, në deklaratën e tij ka thënë:
* “Tetë nga nëntë punonjësit e policisë, dëshmuan përpara jush se nuk e kanë parë personin që ka qëlluar ndaj kolegut të tyre Saimir Duçkollari. I vetmi dëshmitar që më fajësoi për këtë vrasje qe Flamur Gashi, personi që sipas provave që ju administruat, rezultoi të ketë qenë pas shpinës së të ndjerit Duçkollari në momentin e vrasjes. Pra dëshmitari Gashi më tregoi mua si vrasës në kushtet kur sipas aktit të ekspertimit plaga vdekjeprurëse e Dukçollarit është konstatuar në shpinë, pikërisht atje ku dhe ndodhej ky dëshmitar”.
* “E nderura kryetare dhe ju të nderuar anëtarë të trupit gjykues e konstatuat vetë nga dëshmitë që dëgjuat për të ndjerin Kastriot Feskaj, ku sipas tyre rezultoi që ai në momentin e vrasjes mbante në duar dy automatikë, një prej të cilëve e ka marrë dëshmitari Arjan Muça dhe tjetrin dëshmitari Altin Xhepa”.
* “Nga proces-verbalet e seancave gjyqësore rezulton e provuar që në kundërshtim me nenet 157/1 e 361 te K. Pr. Penale, ju [e nderuara kryetare] pasi shkelët kufijtë e ligjit, nuk e patët problem të kaloni caqet e logjikës formale, duke më ndaluar pyetjet e mia ose përgjigjet e dëshmitarëve në 567 raste, shifër kjo vërtet e frikshme. Mjafton t’ju përmend këtu 146 raste vetëm për dëshmitarin Sulkaj, apo 119 raste për dëshmitarin Gashi”.
DOKUMENTI
Më 11 janar 2010, ora 14:30 (e hënë)
I paklasifikuar, vetëm për përdorim të brendshëm
Nga: Sekretarja e Departamentit të Shtetit
Për: Shqipëri, Tiranë
1. Ky kabllogram i përgjigjet kërkesës për veprim në telegramin referues që kërkon verifikim nëse janë shkelur të drejtat e njeriut nga kandidatët e caktuar për të marrë pjesë në KURSIN E TEKNIKAVE TË SURVEJIMIT DHE LUFTËS KUNDËR KRIMIT TË RRUGËS (PJESA II) në Tiranë, Shqipëri nga data 11.1. 2010 deri më 22.1.2010.
2. Departamenti i Shtetit ka verifikuar personat e treguar në telegramin referues dhe nuk ka informacion negativ të besueshëm deri më 11.1.2010. Autorizohet konsullata (Post) të përfshijë personat e mëposhtëm të njësisë së operacioneve speciale të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në trajnimin e financuar nga qeveria amerikane:
ALTIN XHEPA, datëlindja 21.12.1980
RUZHDI VOGLI, datëlindja 28.5.1972
PETRIT SULKAJ, datëlindja 8.6.1966
FLORI MEKO, datëlindja 6.2.1977
ARTUR KOVACI, datëlindja 29.4.1977
LORENA HAMETSULAJ, datëlindja 24.7.1984
FLAMUR GASHI, datëlindja 9.8.1974
KLODIAN MERJA, datëlindja 15.4.1982
LUTFI HASA, datëlindja 28.3.1978
PERPARIM ZALLI, datëlindja 28.8.1966
AGIM SALA, datëlindja 11.8.1954
LEONARD LENA, datëlindja 15.12.1977
BUJAR ULLIRI, datëlindja 14.3.1969
ERVIN LIRZA, datëlindja 30.12.1984
DURIM SELIMAJ, datëlindja 19.8.1984
THEODHORI JANKU, datëlindja 11.10.1967
ENDRIT MATOSHI, datëlindja 14.6.1982
GEZIM HYKA, datëlindja 1.5.1969
ARJAN KOXHAJ, datëlindja 18.8.1980
REZAR VELMISHI, datëlindja 6.6.1977
3. Lejohet konsullata t’u bëjë deklaratën e mëposhtme subjekteve të autorizuara: Ambasada vërteton se Departamenti i Shtetit nuk ka asnjë informacion të besueshëm për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga ana e individëve të të mësipërm, deri më 11.1.2010. Konsullata mund të citojë këtë kabllogram për të dhënë përgjigje.
4. Ju vëmë në dukje se nëse më vonë konsullata merr dijeni për shkelje të mundshme të drejtave të njeriut nga ana e personave të mësipërm, Konsullata duhet të informojë Departamentin [e Shtetit] dhe të mos vazhdojë më trajnimin e tyre. Konsullata duhet t’i referohet manualit udhëzues të Ligjit Lehi mbi Verifikimet (Leahy Vetting) për asistencë shtojcë.
CLINTON
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





