DURRËS, 28 qershor 2013 – Dita e parë e pushimit në plazhin e Durrësit, për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi për dy pushuese nga Maqedonia.

Sapo kishin zbritur mbikalimin dhe po tentonin të kalonin mbi shinat, janë përlasur nga treni i linjës Elbasan-Tiranë, në afërsi të Shkëmbit të Kavajës.

Jetna Jupka, 35 vjeçe si dhe Klavita Nitashka, 55 vjeçe, nga Kërçova e Maqedonisë kanë mbetur të plagosura rëndë si pasojë e përplasjes nga treni.

Menjëherë pas aksidentit, mashinisti ka ndaluar, duke i dhënë ndihmën e parë të aksidentuarve, të cilat i ka nisur me makina të rastit drejt spitali rajonal të Durrësit.

Drejt vendngjarjes janë nisur efektiva të policisë si dhe ekspertiza, të cilët kanë nisur hetimet e para. Shkak për ngjarjen nga hetimet e bëra në vendngjarje është bërë pakujdesia e pushuesve nga Maqedonia të cilat janë aksidentuar gjatë kohës që po kalonin shinat.

Të aksidentuarat të cilët kishin mbërritur vetëm ditën e sotme në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, ndodhen në spitalin e Durrësit nën kujdesin e mjekëve.

Sipas bluzave të bardha të aksidentuarat kanë marrë fraktura të shumta në trup, si pasojë e përlasjes nga treni, ndërkohë që në gjendje më të rënduar shëndetësore ndodhet Jetna Jupka, 35 vjeçe.

Mashinisti  cili ka shkaktuar aksidentit, pas dhënies së ndihmës së parë ka nisur udhëtimin drejt destinacionit.

Aksidentet hekurudhore në territorin e Durrësit kanë qenë të shumta deri më pasojë vdekjen e personave.

Shkak për këtë janë bërë kalesat e paligjshme të hapura përgjatë gjithë linjës hekurudhore, të cilat shfrytëzohen nga ana e banorëve të zonës për të kaluar.

Nga ana e drejtorisë se hekurudhave shqiptare, herë pas here është ngritur si problematikë, të cilët i kanë kërkuar njësive vendore që kanë nën administrim zonat, ti mbyllin kalesat e paligjshme, por deri më tani nuk është marrë asnsjë masë. 

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/