TIRANE, 28 qershor 2013 – Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi deklaroi njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe vlerësoi të gjithë qytetarët që ushtruan të drejtën e votës, në mënyrë të veçantë rreth 30 mijë votuesit që besuan në alternativen e FRD-së.
Në konferencën e parë për shtyp, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, Topi tha se FRD-ja do të vazhdojë të jetë forcë aktive opozitare. Ndërsa inkurajoi fituesit e zgjedhjeve që të mbajnë premtimet e dhëna, lideri i FRD-së theksoi se vendi ka nevojë për mirëqeverisje.
“Qytetarët në mënyrë masive morën vendimin tyre të qartë për rotacion politik. Vendimi i qytetarëve mund të komentohet, por nuk mund të diskutohet. Në emër të FRD-së shpreh publikisht njohjen e rezultatit të zgjedhjeve. Ne urojmë fituesit e zgjedhjeve dhe i inkurajojmë të mbajnë premtimet e dhëna. Do të jemi forcë aktive opozitare në mbrojtje të interesit publik. Vendi ka nevojë për mirëqeverisje. Mirënjohje dhe respekt i veçantë u shkon më shumë se 30 mijë qytetarëve shqiptarë, që vendosën të besojnë FRD-në, votuan programin dhe kandidatët e saj. Mbi 10 mijë qytetarë të kryeqytetit zgjodhën FRD-në. Pritshmëritë dhe pretendimet tona ishim më të mëdha. Sistemi zgjedhor nuk e mundësoi përkthimin e votave tona në mandate. Tashmë kemi detyrimin e më shumë se 30 mijë votuesve për ta çuar përpara misionin tonë politik”- deklaroi Topi.
Kryetari i FRD-së vlerësoi dorëheqjen e Berishës nga pozitat drejtuese të PD-së, duke theksuar se ky vendim mund të konsiderohet si një hap pozitiv për nisjen e procesit të reformimit të të djathtës shqiptare.
“Gjej rastin të theksoj se FRD vlerëson se votat popullore ndëshkuese për arrogancën e pushtetit aktual, e penalizmit të të djathtës shqiptare. Si FRD dhe mijëra demokratë janë në opozitë dhe të ndëshkuar për shkak të modelit të keqqeverisjes, abuzimit me pushtetin dhe modelit klientelist të këtij pushteti. Vlerësoj dorëheqjen e kryetarit të PD-së nga pozitat aktive drejtuese dhe e shoh si një hap pozitiv për nisjen e një procesi të reflektimit dhe reformimit të të djathtës shqiptare”- u shpreh Topi.





