TIRANË, 28 qershor 2013 – Dritan Dajti thyen heshtjen, nis të tregojë për vrasjen e 4 oficerëve të skuadrës speciale operacionale. 

Në seancën e kaluar, i Dajti ftoi familjarët e “Dëshmorit të Atdheut”, Saimir Duçkollari, të vijnë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për të mësuar të vërtetën se kush u vrau të afërmin e tyre, duke lënë të nënkuptohet se nuk është ai ekzekutori i babait të dy fëmijëve. 

Sot ai dëshmon se Duçkollari është vrarë pak metra larg makinës ku ndodhej vetë Dajti dhe se është qëlluar nga një oficer policie. 

“Duçkollari u vra pas shpine nga oficeri i policisë F.G, vrasja ndodhi pak metra larg para makinës ku ndodhesha unë. Plumbi e ka përshkruar nga shpina në zemër”, rrëfen ai, ndërsa shton se oficeri e ka qëlluar Duçkollarin me armë zjarri tip kallashnikov.

Dajti kishte paralajmëruar se do të fliste për masakrën e rëndë, pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe duket se tashmë është mëse i vendosur të tregojë sipas tij të vërtetën. 

Gjyqi ndaj Dajtit është futur në ngërç prej afro dy vitesh dhe për mungesë të avokatëve mbrojtës të caktuar kryesisht nga gjykata, nuk zhvillohet, duke u kthyer në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë shqiptare.