KAMËZ, 28 qershor 2013 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të kësaj të premte në çerdhen shtetërore në Kamëz.
Të paktën tre persona kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i bombolës së gazit.
Mësohet se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 08:02 minuta në zonën e Institutit, ndërsa shkak për shpërthimin dyshohet të ketë qënë rrjedhja e gazit.
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, ndërsa të plagosur kanë mbetur roja i çerdhes, kuzhinierja dhe një fëmijë.
Mësohet se të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.
Plagë më të rënda ka marrë kuzhinierja dhe roja e çerdhes, ndërsa fëmija ka marrë plagë më të lehta. Pas mjekimit ai ndodhet në banesën e tij.
Në vendngjarje, ka mbërritur ndërkaq një grup hetimor që po heton mbi shkaqet e shpërthimit.
SHPËRTHIM NË NJË BANESË NË AUTOSTRADËN TIRANË-DURRËS
Një tjetër shpërthim është regjistruar sot gjatë orës 03:30 minuta në banesën e një shtetasi.
Ngjarja ka ndodhur përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe dyshohet se në banesën e shtetasit G.J është vendosur lëndë shpërthyese.
Sipas të dhënave të policisë, raportohet se nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale .
Po sipas tyre, lënda shpërthyese ka qënë e vendosur në dritaren e katit të parë . Policia për punon për identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës.





