TIRANË, 27 qershor 2013– Me sa duket, Universiteti Politeknik i Tiranës (i angazhuar në fushatë elektorale pro qeverisë) pëson “goditje” në tru, fill pas njoftimit të kryeministrit shqiptar Prof. Dr. Sali Berisha për dorëheqje nga funksionet në parti; kjo, sepse sizmografët shqiptarë lokalizojnë një herë goditje tërmeti në jug të Cërrikut (kur në fakt koordinatat binin në fshatin Pajun të komunës së Paprit), pastaj fshijnë njoftimin dhe tërmetin e “transferojnë” në Sericë të Labinot-Malit, midis Elbasanit dhe Librazhdit; kjo nuk ndodh për herë të parë.

Rreth orës 11:00 të 27 qershorit departamenti i sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit Politeknik të Tiranës njofton një tërmet në jug të Cërrikut ora 10:44:06 GMT ose 12:44:06 (koha e Shqipërisë), pra rreth 90 minuta para se të ndodhte dukuria sizmike.

Por “gallata” më e madhe është se koordinatat 41.08°N, 19.95°E nuk binin në jug të Cërrikut, por në veriperëndim të tij, në fshatin Pajun të komunës së Paprit.

Pas 30 minutash, tërmetit i korrigjojnë orën, tani 8:44:06 GMT ose 10:44:06 (koha e Shqipërisë) dhe jo GMT; rregullojnë koordinatat, duke e transferuar në verilindje, në  Sericë, në vijë ajrore 8 km veriperëndim të qytetit të Librazhdit (shih etiketën në hartë) dhe i ulin forcën (nga M=3,5 në M=2.8).

Google earthe lokalizon tërmetin në fshatin Sericë të komunës Labinot Mal të nënqarkut të Elbasanit.

Nuk ka njoftime për viktima dhe dëme materiale.

Info/

Mbi lokalizimin e gabuar

Fshati Pajun, ku u lokalizua gabimisht tërmeti është nën juridiksionin e komunës së Paprit të nënqarkut të Elbasanit dhe përfshin fshatrat Balldre, Bizhutë, Broshkë, Jatesh, Lugaj, Murras, Pajun, Papër, Papër-Sallak, Ullishtë, Valas, Vidhas, Vidhas-Hasgjel; pjesëmarrja në votimet e 23 qershorit 64 për qind, ku PS-ja ka marrë 52,4 për qind të votave, LSI-ja 3,5 për qind, kurse PD-ja 29 për qind, PR-ja 7,2 për qind.

Mbi lokalizimin e “transferuar”

Fshati Sericë, ku “transferua” tërmeti është nën juridiksionin e komunës së Labinot-Malit  dhe përfshin fshatrat Labinot-Mal, Gur i Zi, Sericë, Lamolle, Benë, Lugaxhi, Qafë, Qerret, Shmil, Dritas; pjesëmarrja në votimet e 23 qershorit 53,4 për qind, ku PS-ja ka marrë 53 për qind të votave, LSI-ja 11 për qind, kurse PD-ja 20 për qind.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/