TIRANE, 27 qershor 2013 – Drejtuesit e qeverisë azere dhe ata të TAP zbarkuan në Greqi për të dhënë lajmin se TAP është përzgjedhur si projekti fitues. Punimet nisin në vitin 2015. Ja përfitimet e Shqipërisë.
Projekti i transportit të gazit TAP është përzgjedhur nga Azerbajxhani për të transportuar gaz në Europë. Ndërsa Shqipëria dje kishte ndalur frymën në pritje të ndryshimeve politike, drejtuesit e qeverisë azere dhe drejtues të TAP zbarkuan në Greqi për të dhënë lajmin se TAP është përzgjedhur si projekti fitues.
Vizita ishte parashikuar të zhvillohej edhe në Shqipëri, por klima zgjedhore duket se e ka penguar atë.
Afatet
Punimet për pjesën shqiptare do të shtrihen gjatë periudhës 2015-2018. Duke përfshirë efektet direkte, indirekte dhe të nxitura, TAP do të kontribuojë në një total prej 370 milionë eurosh ndaj GDP-së shqiptare. Më pas, gjatë funksionimit që pritet të zgjasë 50 vjet, ky kontribut do të arrijë në një total prej 2.6 mld. Skuadra e projektit pret të investojë rreth 60 milionë euro në rrugët dhe infrastrukturën e Shqipërisë, duke ndihmuar në shtrimin e rrugës për një zhvillim të mëtejshëm në vend. Oxford Economics’ (OE) ndërmori një studim të licencuar nga Gazsjellësi Trans Adriatik, TAP për të analizuar përfitimet potenciale ekonomike që mund të ketë Shqipëria nga ky projekt. “Rezultatet tregojnë se jo vetëm që projekti do të krijojë përfitime të konsiderueshme në mënyrë direkte, por gjithashtu do të prodhojë një numër të mjaftueshëm të ‘efekteve indirekte’ të cilat do të jenë po aq të rëndësishme, ndoshta edhe më shumë”. Studimi bazohet në një kombinim të statistikave publike të disponueshme, nga të dhënat e vlerësuara nga vetë TAP dhe projektimet ekonomike të OE-së, që të sigurojnë një parashikim të detajuar të ndikimit potencial të tubacionit në Shqipëri. Në të analizohet ndikimi potencial ekonomik i projektit në tri zona kryesore, kontributi ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, numri i vendeve të punës që do të hapen dhe të ardhurat e mbledhura nga taksat. Analiza është bërë në tri nivele të ndryshme ndikimi – aktiviteti direkt, aktiviteti indirekt i stimuluar nga blerjet e vargut të kërkesës dhe aktiviteti më i gjerë, i nxitur nga blerjet e punonjësve – për të dyja fazat e ndërtimit dhe funksionimit të tubacionit. Të gjitha vlerat monetare të raportuara nga çmimet e 2012-ës, pra paraqesin “paratë e së sotmes”.
Infrastruktura
Sipas përfaqësuesve të TAP, ky projekt përfaqëson një mundësi të madhe për Shqipërinë, për investimet e huaja, rritjen e punësimit apo zhvillimin rural të vendit, pasi disa nga seksionet e gazsjellësit do të ndërtohen në zona të largëta të vendit dhe si rezultat do të ndërtohen edhe rrugët që të çojnë në këto zona. Ata theksuan se gazsjellësi TAP do të sjellë gaz nga Azerbajxhani në Europë, duke kaluar në Shqipëri. 200 km do të jetë në Shqipëri dhe 60 km në seksionin shqiptar të detit Adriatik. Kjo është vetëm një pjesë e një rruge të gjatë dhe të komplikuar. “Ky projekt kap vlerën e 45 miliardë dollarëve amerikanë dhe përfshin disa shtete dhe 10 kompani. Korridori nuk duhet të ndalojë, por duhet të vijojë me rritjen e kërkesës. Është kredit për Shqipërinë që ky investim të vijë në këtë vend. Shqipëria duhet të jetë më shumë se një vend pritës, pjesëmarrës në zhvillimin e Europës. Nga investimi i “Trans Adriatic Pipeline”, Shqipëria parashikohet të përfitojë një vlerë nga 800 milionë euro në 1 miliard euro. Nga ky projekt Shqipëria do të shënojë fitoren e saj të parë gjeostrategjike, e po kështu, për herë të parë ajo do të bëhej pjesë e një rrjeti ndërkombëtar në transportimin e gazit.
Komunat që përfitojnë
Të paktën 38 komuna dhe bashki në vendin tonë pritet të preken nga ndërtimi i gazsjellësit TAP. Në listën e bashkive dhe komunave bie në sy Bashkia e Durrësit, e Beratit apo ajo e Çorovodës, ndërkohë që pjesa tjetër janë komuna. Ndërtimi i përgjithshëm i seksionit shqiptar të projektit pritet të fillojë në mesin e vitit 2015 dhe do të zgjasë afërsisht 3.5 vjet, pasuar nga aktivizimi gjatë vitit 2018. Në projektin e TAP orari përfundimtar specifik i ndërtimit do të varet nga çështje të ndryshme teknike dhe kontraktuale Po në projekt sqarohet se, nëse ndërtimi do të fillojë në vitin 2015, atëherë vënia në punë e projektit do të ndodhë gjatë vitit 2018. Trafiku i ndërtimit do të përdorë rrjetin e rrugëve ekzistuese dhe rrugët e reja dhe të përmirësuara për të arritur vendet përgjatë korridorit të ndërtimit të gazsjellësit. Pas përfundimit të punëve në rregullimin dhe ndërtimin e rrugëve, TAP AG do të kërkojë që t’i mbajë të hapura për publikun gjatë gjithë periudhës së ndërtimit të gjitha segmentet hyrëse që janë në tokë publike.
Komunat dhe bashkitë ku kalon projekti TAP
1-Bashkia Berat
2-Komuna Ura Vajgurore
3-Komuna Cukalat
4-Komuna Kutalli
5-Komuna Otllak
6-Komuna Poshnjë
7-Komuna Roshnik
9-Komuna Velabisht
10-Komuna Vërtop
11-Bashkia Durrës
12-Komuna Rrashbull
13-Komuna Synej
14-Bashkia Roskovec
15-Komuna Bubullime
16-Komuna Dermenas
17-Komuna Kuman
18-Komuna Kurjan
19-Komuna Libofshë
20-Komuna Mbrostrar
21-Komuna Qendër Fier
20-Komuna Strum
21-Komuna Topojë
22-Bashkia Bilisht
23-Komuna Drenovë
24-Komuna Hoçisht
25-Komuna Mollaj
26-Komuna Pojan
27-Komuna Proger
28-Komuna Qendër Bilisht
29-Komuna Bulgarec
30-Komuna Vithkuq
31-Komuna Voskopojë
32-Bashkia Çorovodë
33-Bashkia Polican
34-Komuna Vëndreshë
35-Komuna Bogovë
36-Komuna Potom
37-Komuna Qendër Skrapar
Shqipëria fiton pozicion strategjik në treg
Gazsjellësi prej 867 kilometrash i TAP-it ofron rrugën më të shkurtër për në tregjet europiane, por edhe të zbatueshëm nga ana tregtare. Duke u lidhur direkt me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) dhe pastaj duke vazhduar më tej prej kufirit turk, TAP-i ndjek rrugën më të shkurtër të mundshme deri në tregun e dytë më të madh në Europën Kontinentale, në Itali. Volumi i gazit i transportuar përmes TAP-it në Itali mund të transportohet më tej, përmes rrjedhjes në drejtim të kundërt- fizik ose asaj virtuale, përmes sistemit Trans Austria Gas (TAG) dhe/ose Transitgas për në tregjet e Europës Veriperëndimore. Rrugës për në Itali, TAP-i ofron mundësi të shumta për shitësit e gazit, që të sjellin energji në tregjet e zhvilluara të gazit, përfshirë Greqinë dhe Bullgarinë. Sipas drejtuesve të këtij projekti, kjo bëhet edhe për të diversifikuar dhe për të siguruar furnizimin e tregjeve të paprekura në Ballkanin Perëndimor, ku furnizimet e reja me gaz janë të shumëkërkuara për ndryshimin e përbërjes energjetike të këtyre vendeve.
Shumë e rëndësishme për projektet e këtyre përmasave është edhe lidhja që ofron (apo daljet) në tregjet e tjera për të diversifikuar portofolin e burimeve. TAP është projektuar me fleksibilitet, duke siguruar lidhjet dhe pikat e mundshme të daljes gjatë korridorit.
Duke u lidhur me TANAP-in do të mund të ndihmojë furnizimin me gaz të vendeve të Europës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë etj. Për më tepër, aksionerët e TAP-it kanë zhvilluar studime fizibiliteti për eksplorimin e mundësisë së krijimit të rezervave të gazit në Shqipëri. Nga ana tjetër, gjurma e TAP-it jo vetëm siguron furnizim për tregjet më të cenueshme në Europën Juglindore, por ofron shanse për furnizimin e tregjeve madhore të gazit në pjesën tjetër të Europës me burime të reja. Pikërisht për këtë BE-ja ka deklaruar neutralitetin.
/Mapo/





