DURRES, 27 qershor 2013 – Surpriza e zgjedhjeve parlamentare në qarkun e Durrësit ishte PR, e cila në Shijak doli forcë e dytë politike.
Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", ish-ministri socialist, Agron Duka, dje deklaroi se ndryshe nga të gjithë deputetët e tjerë të partive të mëdha që u emëruan nga partitë në lista, ai fitoi me elektorat të drejtpërdrejtë me votë popullore.
Ndërkohë, Duka tha se do të jetë opozitar me kunatin e tij, Lefter Koka, me të cilin ka marrëdhënie shumë të mira.
Zoti Duka, si ndjeheni tani që keni marrë mandatin e deputetit pas 8 vjetësh?
Jam natyrisht shumë i lumtur. Jam i nderuar, sepse marrë në rang qarku 9600 vota dhe pas ca llogaritjesh pretendojmë për të fituar mandatin e dytë në rang qarku. Është një fitore që më bën të shumë të lumtur, kjo sepse tregova veten përballë elektoratit me dinjitet.
Për ju kjo ishte një sfidë të kandidonit nën siglën e PR?
Ishte një kapërcim shumë i madh, por ky është një mandat që e kam për dinjitet personal se sa për politikë të mirëfilltë. Ishte një sfidë ndaj vetes, por edhe ndaj Partisë Socialiste. E konsiderova sfidë, pasi kam fituar në elektorat të drejtpërdrejtë dhe kam marrë dyfishin e votave të parashikuara. Nuk mund të them sesa kam fituar, por për një gjë jam plotësisht i sigurt: të gjithë deputetët e tjerë të partive të mëdha u emëruan nga partitë në lista, ndërsa unë kam fituar në elektorat të drejtpërdrejtë me votë popullore. Ç'gëzim mund të kenë ata që janë emëruar nga krerët e partive në lista, ndërsa unë kam punuar e kam bindur votuesit për të fituar.
Zoti Duka, sa shanse ka për të marrë kandidatin e dytë?
Edhe 1200 vota duhen, e ndërkohë janë edhe 50 kuti ende të pahapura. Shpresojmë deri në momentin e fundit, pasi i dyti në listë është Kastriot Rada nga Kruja, personalitet në këtë qytet. Partia Republikane ka një traditë të saj dhe është parti shumë e njohur në Shqipëri. Kjo do të thotë që edhe për shkak të punës sonë si kandidatë, por edhe për traditë, njerëzit na kanë votuar.
Ju do të jeni së bashku me kunatin tuaj, Lefter Koka në parlamentin e ardhshëm. Opozitarë, apo kunetër?
Me zotin Koka që e kam kunat, kemi marrëdhënie shumë të mira. Në parlament unë do të jem opozitar. Kundërshtarë politikë në parlament. Në këtë parlament ka ndodhur që do të jenë Monika me Ilir Metën, bashkëshortë, Ilirjan Celibashi nga PS dhe me Fatmir Mediu nga PR, edhe ca të tjerë që nuk i mbaj mend tani.
Do të qëndroni në opozitë apo do t'i bashkoheni PS-së, partisë suaj të origjinës?
E them me bindje të plotë që do të jem opozitar dhe ne si PR do të kemi grupin tonë parlamentar. Kjo për faktin sepse kemi fituar një mandat në Shkodër, një në Elbasan, një në Tiranë dhe pretendojmë të dytin në Durrës.
Kujt ia dedikoni fitoren?
Ua dedikoj qytetarëve të Shijakut, që edhe pse pati një rrymë anti të djathtë, më nxorën mua dhe PR-në forcë të dytë politike në këtë qytet pas 23 vjetësh. Përshëndes edhe strukturat e PR-së në nivel qarku, por në veçanti vëllain tim, Armando Duka, që menaxhoi fushatën time elektorale.
/k.h. BW/





