TIRANE, 26 qershor 2013 – Kandidati humbës i Partisë Demokratike për Peqinin, Dashnor Sula, ka deklaruar për GSH se ia kanë futur numëruesit e PD-së dhe PS-së.

“Numëruesit e PD-së dhe PS-së kanë bërë pakt që të kalojnë votat për Partinë Republikane. Nuk ka mundësi që nga 2000 vota që ishte deri të hënën, të kalojë PR në 7000 vota,” thotë Sula.

Ai nuk nguron të sulmojë elbasanllinjtë si mosmirënjohës ndaj PD-së.

“Mendoj se në Elbasan si qark me gjithë këtë investim që bëri qeveria, me rrugën, nuk duhet të ishte ky rezultat”.

Sula shprehet madje se e majta ka paguar për votat.

“Koalicioni i majtë ka paguar para, pasi janë futur nëpër shtëpi. Unë nuk mund ta bëj kurrë një gjë të tillë,” thotë ish- deputeti.

Ai shton se humbja ishte shumë e rëndë dhe PD nuk e meritonte. Sipas Sulës, tani duhet bërë një analizë dhe duhen nxjerr mësime.