TIRANE, 26 qershor 2013 – Për herë të parë, kryetari i PS-së, Edi Rama mbajti të parin fjalim si kryeministër përpara një turme entuziaste. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mbajti fjalimin e fitores, para selisë rozë, mes brohorimave të qindra mbështetësve entuziastë. Duke mos e fshehur gëzimin për triumfin, Rama garantoi se fitorja në zgjedhje nuk është mbërritja, por vetëm nisja e rrugëtimit të rilindjes.
“Unë e dua këtë vend, prandaj dhe luftova kaq fort për të luftuar. Zemra ime e di se çfarë mundësish të pafundme ka ky vend për të rilindur. Këto mundësi të pafundme, tani duhet t’i nxjerrim nga çdo thellësi e shpirtit e mendjes shqiptare për të bërë më të mirën me mundësinë që na u dha për të udhëhequr Shqipërinë. Ne do të udhëheqim, por as unë, as ne të zgjedhurit për t’u drejtuar së bashku nuk e sjellim vetëm Rilindjen që premtuam. Ndaj dua që ju, njerëzit e këtij vendi, të bëheni pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes. T’i ndajmë së bashku aspiratat, sfidat dhe përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur përmes lirisë së konkurrencës dhe taksimit të ndershëm. Një shoqëri të rilindur me arsim e shëndetësi për të gjithë dhe jo sipas mundësive”, tha Rama.
Kryetari i PS-së, u shpreh se nuk e sheh fitoren si triumf personal, por si sfidë për të ardhmen.
“Pa harruar asnjë çast se sot populli sovran e ngjyrosi me ngjyrën e purpurt të gjithë hartën e Shqipërisë që nga Shkodra gjer në Vlorë, për të na dhënë mundësinë historike që ta provojmë me sjellje e me vepra se mund ta ndajmë përgjithmonë këtë vend nga ndasitë e vjetra të së shkuarës së deridjeshme. Ka qenë deri këtu një ëndërr e gjatë. Tani së bashku duhet ta bëjmë realitet, pa harruar në asnjë hap se duhet të jetë gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi i pakicës, shpirti i kompromisit, që mund të rilindë Shqipërinë si anëtare të denjë të familjes evropiane”, vijoi fjalën e tij kreu i PS-së.
Lideri i opozitës kërkoi ndjesë për gjuhën e përdorur ndonjëherë ndaj kundërshtarëve politikë, që sipas tij kushtëzohej nga rrethanat, Rama falënderoi zotin Berisha për çdo gjë të mirë që ka bërë dhe që sipas tij, historia mund ta vlerësojë nesër. Rama e uroi Berishën për jetën private në vazhdim.
“Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokraci të pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu. Unë sonte dua ta falënderoj për çdo gjë të mirë për të cilën historia do e vlerësojë me një objektivitet më të madh se unë dhe i uroj të gjithë të mirat në jetën private në vazhdim”, tha Rama.
Kreu i PS-së garantoi vullnetin për t’u shërbyer me përkushtim të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që votuan për fituesin.
“Votën plebishitare që morëm në këto zgjedhje unë nuk e konsideroj si triumfin e palës sonë dhe aq më pak si triumf personal, përkundrazi, shu- mica marramendëse që na dhanë shqiptarët më bën edhe më realist për sfidën që duhet të fitojmë përmes qeverisjes sonë. Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndjehet keq, asnjë rrogëtar që i shërben këtij shteti falë meritës së tij, të mos ndjehet i kërcënuar, asnjë burim mediatik që ka mbështetur alternativën e kundërshtarit të mos ndjehet i rrezikuar. Të gjithë meritojnë respektin tonë dhe të gjithëve do u provojmë se ndryshimi s’ka ardhur për t’i bërë keq askujt që nuk ka bërë keq duke shkelur ligjet e këtij vendi”, theksoi Rama.
Në fund të fjalimit të tij, të ndërprerë disa herë nga hovacionet e shumta të mbështetësve, lideri i së majtës la edhe një porosi të fundit për të gjithë shqiptarët.
“Ky është momenti më krenar i jetës sime. Por, midis krenarisë që ndjej për veten dhe përunjësisë që ndjej për besimin që keni tek unë, fiton thellë përunjësia. Unë do të jem kryeministri juaj, por edhe kryeshërbëtori juaj. Detyra do jetë imja, pushteti do jetë i juaj. Unë s’do ta harroj këtë, por ju lutem, mos e harroni as ju!Jo për mua, por për të mirën e Shqipërisë, që duhet të rilindim së bashku”, përfundoi Rama.
Meta: Edi Rama kryeministri i ardhshëm
Kryetari i LSI-së shprehet qartë se kryeministri i ardhshëm do të jetë i PS-së. Çështja e kryeministrit tashmë i takon PS-së
Z. Meta, mendoni se duhet të kishte dalë z. Berisha për të pranuar rezultatin dhe humbjen?
Unë besoj se po.
Mesa duket nuk ka dilema. Do të jetë z. Rama apo jo?
Kjo është një çështje që i takon Partisë Socialiste, normalisht si parti e parë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”.
Si u arrit kjo fitore?
Natyrisht që bashkëpunimi në një koalicion të tillë sjell avantazhin për kthimin e votave në mandate. Megjithatë është një rast tepër që vota popullore përputhet plotësisht me numrin e mandateve, madje e tejkalon atë sepse pritet normalisht që të kemi 180 mijë vota për LSI-në.
Më bëri përshtypje një deklaratë e juaja ditën e votimeve, që koalicioni juaj qeverisës do jetë dhe përtej koalicionit aktual, mos nënkuptoni që disa deputetë që kalojnë tashmë në opozitë të PD, që sa humbin të kalojnë me mazhorancën. Mos nënkuptoni që deputet të PD do t'i pranoni në radhët e mazhorancës?
Unë nuk kam patur parasysh pikërisht këtë që ju ngrini. Kam patur në konsideratë që ka dhe shumë forca, shumë elementë, shumë grupe shoqërore të cilat nuk kanë qenë të përfshira në këtë front le të themi opozitar por që pas zgjedhjeve kanë shumë se ç’të bëjnë, kanë shumë se ç’të thonë, kanë shumë se ç’të propozojnë dhe të kontribuojnë për të qenë pjesë e një mazhorance apo e një qeverisjeje jo thjesht në kuptimin e qeverisë por në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale për të kontribuar. Dhe njëkohësisht z. Lesi mazhoranca e re pavarësisht nga qëndrimi që ju do të mbani jam i bindur që gjithmonë do të ketë nevojë për kontributin tuaj në çdo formë që do ta gjykoni.
Kjo do të thotë që e zgjeruat mazhorancën?
Formë do të thotë dhe në formë të opozitës, të kritikave.
Nëse PDIU që është sot është pjesë e mazhorancës, nesër me 5 deputetë do të kërkojë të bëhet pjesë e koalicionit të majtë qeverisës, ju a do ta pranonit?
Mendoj se kjo është një pyetje që nuk ka asnjë arsye që unë t’i jap një përgjigje.
Kjo aleancë mes PS-së dhe LSI-së ka shumë dilema. Duke pasur parasysh edhe përplasjet e forta dhe marrëdhënien e vështirë që keni pasur ju me Ramën në të kaluarën dhe dualizëm mes jush. A do të mbajë kjo marrëveshje?
Kjo është çështje vullneti dhe vullneti ynë është për ti qëndruar marrëveshjes, sepse vendi ka nevojë për marrëveshje, ka nevojë për bashkëpunim. Jo vetëm për një bashkëpunim të qëndrueshëm PS dhe LSI dhe gjithë partive të tjera të kësaj aleance fituese, por edhe për një frymë bashkëpunimi më të gjerë në të gjithë jetën politike dhe shoqërore.
Disa thonë se do ta keni të vështirë të bashkëpunoni me z. Rama, por siç duket do të lidheni akoma më shumë. Z. Meta e keni këtë frikë?
Jo nuk e kam këtë frikë se për aq kohë sa do të kemi z. Gjinushi. Ai mund të japë ndonjë kontribut që të jetë sa më i larmishëm koalicioni.
Z. Meta, duket sikur po flisni nga pozita e një kryetari Parlamenti. Sa e vërtetë është kjo?
Unë kam kohë që flas në këtë mënyrë. Të them të vërtetën nuk do të ishte ndonjë kënaqësi e veçantë të ishe kryetar Parlamenti kur aty mungon një deputet me shumë kontribute sepse duke qenë lart në atë postin e kryetarit të Kuvendit do të ndihej një mungesë e madhe. Kështu që mund të jetë më mirë të qëndruarit poshtë.
Cili do të jetë funksioni juaj në ekzekutivin e ardhshëm?
Mendoj se kjo nuk është gjëja më e rëndësishme se çfarë do të jem unë apo dikush tjetër. Më e rëndësishme është që ne t’i qëndrojmë besnikërisht votuesve të cilët besuan vërtet që kjo është një Aleancë për Shqipërinë Evropiane. Duhet të punojmë në këtë drejtim. Kemi humbur shumë kohë. Pra të ecim më shpejt.
A do të jeni ju në një post ekzekutiv?
Këtë gjë unë nuk mund ta them dhe nuk është ky prioriteti im plus që unë nuk jam njeri pa një funksion. Kam një funksion shumë të rëndësishëm sepse jam kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
A keni një mesazh për z. Berisha?
Unë mesazhin e kam dhënë me kohë që duhej të përkushtohej më shumë për standardin e zgjedhjeve sepse nuk ka shumë rëndësi sesa mandate merr Partia Demokratike, merr 60 mandate apo 62 mandate. Nuk është kjo trashëgimia që një udhëheqës lë për partinë e tij apo për vendin. Gjëja më e rëndësishme ka qenë dhe mbeten standardet. Megjithatë, unë mendoj se është në kohë që të kontribuojë që i gjithë ky proces të mbyllet me një imazh sa më pozitiv për vendin në mënyrë që të gjitha ato elementë që krijuan tensione dhe dyshime për standardin e zgjedhjeve të harrohen sa më shpejt dhe në fund fare të mbetet ajo shija pozitive e një ndryshimi dhe e një paqeje sociale në vend.
A ia njihni këtë meritë Berishës sesi po ndodh rotacioni?
Merita më e madhe i takon popullit shqiptar dhe natyrisht z. Berisha është pjesë e popullit shqiptar.
/l.t. Ora News/





