TIRANE, 25 qershor 2013 – Pavarësisht se numërimi i votave ende nuk ka përfunduar, rezultatet e deritanishme japin një pasqyrë të qartë të asaj se si do të jetë Parlamenti i ri.
Gazeta “Panorama” i ka përkthyer sot këto mandate në emra konkretë.
Shkodra
Partia Socialiste konfirmon deputetët Tomë Doshi dhe Paulin Sterkaj, ndërsa për herë të parë hyjnë në Parlament dhe Mimoza Hafizi dhe Namik Kopliku. LSI për herë të parë ka një deputet, presidentin e Vllaznisë, Agron Çela, ndërsa nga të majtët, edhe Partia Kristiandemokrate ka marrë një deputet, Mark Frrokun. E djathta shkon në Parlament me Jozefina Topallin dhe Nard Ndokën, por dhe dy emra të rinj, Helidon Bushatin dhe Voltana Ademin. Jashtë Parlamentit mbeten deputetët aktualë të PD-së, Gjok Uldedaj dhe Ramiz Çobaj.
Lezha
Kemi një rikthim në Parlament të Monika Kryemadhit, ndërsa Gjovalin Kadeli mbetet në Parlament, por me ngjyrat e PD-së.
Durrës
Lista e PS-së së qarkut të Durrësit do të risjellë në Kuvend deputetin Ilir Beqja, ndërsa PD, përveç emrave të njohur të legjislaturës së kaluar, rreshton dhe drejtorin e kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashin. Edhe Agron Duka, tashmë nën siglën e PR, do të jetë një nga 140 anëtarët e Kuvendit të ri.
Tirana
Socialistët do të çojnë në Kuvend përmes listës së Tiranës Lindita Nikollin, Parid Carën, Milena Hariton, por edhe Rakip Sulin. Ndërsa LSI shkon me kryetarin e saj, Ilir Meta, por dhe Klajda Gjoshën dhe Luan Ramën, i cili rikthehet pas 2005-s. Partia Demokratike rikthen me listën e Tiranës Dashamir Shehin. Ndërsa si prurje të reja janë nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku dhe prefekti i Tiranës, Keltis Kruja. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, zgjidhet nga lista e tij.
Dibra
Qarku i Dibrës që ka një rezultat të barabartë, 3 me 3 çon në Kuvend Shkëlqim Canin, ndërsa LSI merr një mandat në këtë qark, përmes Përparim Spahiut.
Elbasani
Lista e Elbasanit ka një përfaqësim më miks. Rikthehet Musa Ulqini nga PS, ndërsa shkojnë për herë të parë Alfred Peza dhe Evis Kushi. LSI çon dy deputetë, Haxhinaston dhe kryetarin lokal, Bujar Kllogjri. Aqif Rakipi është deputeti i PDIU-së nga qarku i Elbasanit. Ndërsa PD ka dy deputetë të ardhur nga Tirana, Imami dhe Selami dhe dy vendalinj, Boçi dhe Turku.
Berati
Qarku i Beratit do të ketë dy përfaqësues të LSI-së në Kuvend, Nasip Naçon dhe Selfo Kapllanin, kandidatin e Kuçovës. Në Kuvend, PD dërgon dhe Astrit Veliajn, i dyti i listës.
Korça
Emra të rinj çon PS në Kuvend nga qarku i Korçës. Ilirian Pendavinji, Ilir Xhakolli dhe Ylli Ziçishti. Një deputet merr dhe LSI në Korçë, Piro Kapuranin. Ndërsa PD, që kryesohet nga Ridvan Bode, çon në Kuvend një femër, Eleina Qirici dhe kreun e PR, Fatmir Mediun.
Fier
PDIU merr dy mandate, Idrizin nga lista e PD dhe Omer Mamo nga lista e saj. Edhe LSI merr dy deputetë, Petrit Vasilin dhe Robert Bitrin.
Vlorë
Edi Rama dhe Koço Kokëdhima janë emrat e rinj që PS çon në Kuvend nga qarku i Vlorës. Edhe në Vlorë LSI ka marrë një deputet, Shkëlqim Selamin, ndërsa në këtë qark ka dalë dhe Vangjel Dule. PD çon në Kuvend Arben Ristanin.
Gjirokastër
Gjirokastra rikthen në Kuvend Anastas Angjelin, por dhe për herë të parë Erion Veliajn.





