TIRANE, 24 qershor 2013 – Lideri i socialistëve, Edi Rama bëri apel për përfundimin e procesit të numërimit të votave, pa cënuar asnjë votë të qytetarëve.
“Dje ju thashë që rilindja ka fitur mbi rrënimin sot ju them që fitorja do të jetë edhe më e thellë se nga sa duket”.
Kështu e nisi fjalën e tij kryesocialisti Rama në daljen e tij të parë për mediat për ditën e sotme.
“Thirrja ime për çdo deputet, për çdo drejtues dhe kordinator, për çdo numërues të PS asnjë votë nuk duhet të cënohet. Duhet të numërohet çdo votë në respekt të çdo shqiptari. Cdo votë që zgjedhësit kanë çuar në kutinë e votimit të numërohet dhe të shkojë në atë adresë ku ata e kanë çuar. Të mbrojmë çdo votë të çdo subjekti zgjedhor të koalicionit tonë dhe të çdo subjekti zgjehdor” u shpreh Rama.
Kryesocialisti Rama i është drejtuar me thirrje kundërshtarit, Berisha, se ka gjithnjë një kohë për të humbur.
“Prandaj unë dua t’i drejtoj një mesazh kundërshtarit tonë: ka gjithmonë një kohë për të humbur dhe sot është koha për ta bërë këtë me nder, në nderin e Shqipërisë, duke bashkëpunuar në çdo tavolinë numërimi për të garantuar paprekshmërinë e dinjitetit të popullit shqiptar në këtë proces. Që do të thotë se ky proces duhet të vazhdojë pa pengesa”- tha Rama.
Sipas tij, të gjithë ata që janë dërguar nga partitë për të numëruar votat e sovranit duhet të jenë në lartësinë e kësaj detyre fisnike.
“Besoj se pavarësisht se në këto zgjedhje ka fituar PS, Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe ka humbur PD dhe aleanca e tyre, është detyrim i barabartë i yni dhe i tyre që të nxjerrim Shqipërinë të fituar nga ky proces dhe bota të na përgëzojë. Ky eshte ai moment ne politike kur te humburit te marrin pjese ne fitoren e vendit te tyre” tha Rama.





