DURRËS, 23 qershor 2013 – Fatmirësisht Durrësi është oaz qetësie në raport me qytetet e tjera të Shqipërisë, gjë pozitive dhe për turizmin, pasi komisionet e qendrave të votimit në Durrës, përkundrejt njoftimeve nga zonat e tjera të vendit, nuk kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë për prishje rendi apo cenim sigurie në qendrat e votimit, ka njoftuar zëdhënësja e drejtorisë së policisë së qarkut, Ornela Çako.
Të gjitha strukturat e ngritura në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor janë në kryerje e sipër të detyrimeve të tyre ligjore.
Aktualisht në Qarkun e Durrësit po vijon procesi i votimit.
Për sa i përket rendit dhe sigurisë publike, ky proces deri ora 16:00, është zhvilluar normalisht dhe nga ana e komisioneve të qendrave të votimit nuk janë paraqitur vendime për ndërhyrje për raste të prishjes së rendit apo cenim të sigurisë në qendrat e votimit.
Ndërkohë, për sa i përket gjendjes së rendit dhe sigurisë në territorin e qarkut, ajo paraqitet normale dhe e qetë, thanë uniformat blu, duke konfirmuar faktin se krimi ordiner ka rënë “squkë”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





