KORCE, 23 qershor 2013 – Zotëronte plot 11 zarfa, me nga  5.000 lekë të reja secili, të cilat dyshoheshin se u ndaheshin personave të ndryshëm për të votuar subjektin politik LSI, për të cilin ai figuronte se ishte edhe koordinator i tij.

I kapur në flagrancë në të tilla kushte nga policia e Korçës, Pajtim Myrtollari, lindur dhe banues në Korçë, i moshës 51-vjeçare, është vënë në pranga nga policia e këtij qytet.

Lajmi konfirmohet prej burimeve zyrtare teksa detajohet se ai është kapur në flagrancë me zarfat e lartpërmendur, pikërisht në vendin e quajtur Ura e Fajancës, me automjetin tip Benz, me targat KO 8013.

Po për këtë ngjarje, filloi procedimi në gjendje të lirë edhe për dy persona, respektivisht me inicialet Th.Sh. dhe R.T., që të dy të lindur dhe banues në Korçë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprat penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, të parashikuara nga neni 328 i Kodit Penal.