LAÇ, 23 qershor 2013 – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta kanë mbërritur në qendrën e votimit ku ndodhi incidenti i rënddë në Laç, nga i cili një simpatizant i LSI-së mbeti i vdekur.
Kryesocialisti akuzoi policinë e këtij qyteti se po bashkëpunon me krimin. Por sipas tij, asgjë nuk e ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve.
“Policia e shtetit nuk është në krye të detyrës, forcat kriminale me mbështetjen e policisë kanë nisur një operacion për përhapjen e frikës dhe terrorit me armë.
Jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, asgjë se ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve, ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo votë. Këto janë përpjekje për të trembur njerëzit, për të diktuar një vullnet që s’mund t’i kundërvihert atij të popullit shqiptar”, tha Rama.
Më tej kryesocialisti shtoi se kërcënimet e kriminelëve nuk mund të ndalin popullin të votojë.
“Ne do garantojmë procesin, nuk ka forca kriminale që mund ta pengojnë popullin të vendosë, policia të ndalë bashkëpunimin me krimin”, vijoi ai.
Ndërkaq, edhe kreu i LSI-së Meta ishte në të njejtën linjë me kreun e PS-së Rama, teksa akuzoi policinë e Laçit për bashëpunim me krimin. Meta e ftoi policinë të distancohet nga kjo ngjarje dramatike.
“Simpatizantët e LSI janë sulmuar nga simpatizantët e PD në Laç. Jam takuar me drejtuesit më të lartë të policisë lokale, kam informuar edhe drejtorin e përgjithshëm të policisë, Hysni Burgaj, e kam njohur me këto zhvillime dramatike. Kam kërkuar që policia të distancohet dhe të parandalojë gjakderdhjen. Kriminelët në Mamurras i bëjnë presion qytetarëve të tregojnë votat, polica është vënë në funksion të mbrojtjes së banditëve në Laç”, shtoi ai.
Meta më tej tha se, Berisha nuk mund të jetë më kryeministër kur derdhet gjak.
“Sali Berisha ta dijë mirë se që nga sot nuk është dhe nuk mund të jetë më kryeministër i shqiptarëve, nuk rri dot më kryeministër kur derdhet gjak”, tha ai.
Sipas Metës, Berisha nuk mund ta mbajë më pushtetin me dhunë!





