DURRËS, 23 qershor 2013 – Gjatë ditës së votimeve, shërbimet e policisë së qarkut të Durrësit po vazhdojnë me zbatimin e detyrimeve të tyre ligjore në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit të votimit si dhe në territorin e Qarkut të Durrësit, njofton zëdhënësja Ornela Çako.

Për procesin zgjedhor në qarkun e Durrësit janë përcaktuar 444 qendra votimi.

Uniformat blu, sipas planifikimit të kryer mbi ruajtjen e QV-ve, që prej orës 6.20 të datës 22 qershor kanë filluar zhvendosjen drejt qendrave përkatëse të votimit dhe në orën 03.00 të datës 23.6.2013, me mbërritjen e materialeve zgjedhore pranë gjithë qendrave të votimit, kanë marrë në ruajtje gjithë QV-të në nivel qarku.

Ndërkaq, gjatë natës (nga ora 20.00-8.00) ka vazhduar edhe shërbimi për  mbajtjen në ruajtje e selive të 7 KZAZ-ve në shkallë qarku.

Përgjatë paradites të së shtunës, duke filluar nga ora 11.00, shërbimet e Drejtorisë së Policisë së qarkut dhe komisariateve Shijak e Krujë, të planifikuara me detyra në kuadër të procesit zgjedhor, morën instruktimet  e nevojshme profesionale për shërbimet konkrete që do të kryejnë; u ushtrua kontroll mbi posedimin prej tyre të tërë bazës së nevojshme materiale  (uniformë, armatim personal, dokument identifikimi, libër kujtese, etj) si dhe u bë rikujtesë mbi gjithë detyrimet  ligjore.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/