DURRËS, 23 qershor 2013 – Sipas së përditshmes “Shqip”, Durrësi është një nga dy qarqet e vetme në Shqipëri që kanë shënuar rritje të popullsisë dhe rritje të normës së urbanizimit.
Në vitin 2013, në Durrës banonin 267 mijë vetë me rritje 7.8 për qind në krahasim me vitin 2001 kur popullata banuese qe 245 mijë vetë.
Në listat e votuesve në Durrës gjenden 308 mijë emra, ndërsa më 2009 kishte 290 mijë emra.
Në vitin 2009, aleanca e PD mori 68 mijë vota, Poli i Lirisë, 1122 vota, koalicioni i PS-ja mori 52 mijë vota ndërsa Koalicioni i LSI mori 10 mijë vota.
Në total, PD-ja mori 7 mandate, PS-ja 5 dhe LSI-ja 1 mandat.
Edhe në Durrës mund të kemi surpriza për shkak se metoda e llogaritjes së ndarjes së mandateve e bën të mundur që pak vota t’i japin një mandat shtesë njërës palë apo palës tjetër.
Nëse PD-ja do të ruajë të njëjtat vota të 2009-ës, shto këtu votat e Agron Dukës për PR-në, të djathtën ruajnë statuskuonë me 7 deputetë, me kusht që FRD-ja me Gazmend Oketën dhe Sami Gjergjin të mos marrin asgjë.
Nëse votat e Dukës zerohen nga ato të FRD-së, PD-ja mund të humbasë një mandat, gjë që do të ndikojë në shkallë kombëtare.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





