DURRËS, 23 qershor 2013 –Drejt Durrësit dhe Tiranës ka një dyndje të vërtetë kosovarësh, madje më shumë se fundjavat e kaluara, raportojnë mediet e Prishtinës dhe Tiranës
“Berisha shfrytëzon kosovarët për kurdisjen e rezultatit zgjedhor?”, kështu e titullon lajmin e vet të 22 qershorit portali i së përditshmes së Prishtinës Express.
Kjo medie ka cituar “disa burime qeveritare”, që thonë se “deputetë të Kuvendit të Kosovës janë të përfshirë në organizimin e njerëzve për të votuar në Shqipëri, të kamufluar si turistë. Esenca qëndron se kjo do të bëhet duke keqpërdorur gjithë ata kosovarë që kanë shtetësi shqiptare. Do të votohet në emër të tyre, me personalitete të tjera”.
Për përfshirjen e kosovarëve në kurdisjen e zgjedhjeve në Shqipëri, thotë Express-i, ka pasur informacione edhe në të kaluarën, duke rritur kështu ndasitë mes dy vendeve.
Normalisht, zgjedhjet në Shqipëri nuk do duhej të ishin betejë e shtetasve të Kosovës.
Ndërkaq Top Channel, në një raportim, nga pika kufitare e Vërmicës, të korrespodentit të vet në Prishtinë, thuhet se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, rreth 6 mijë qytetarë nga Kosova kanë kaluar përmes pikës kufitare të Vërmicës për në Shqipëri, deklaron në mikrofon një rreshter i policisë së Kosovës, ndërsa fluksi vazhdoi të rritej në orët në vazhdim.
Sipas policisë së Kosovës, numri i shtetasve që kanë kaluar për në Shqipëri është më i madh në krahasim me të njëjtën periudhë të përpara një jave dhe kjo, sipas tyre, ndodh për shkak të përmirësimit të kushteve atmosferike.
Pushimet në bregdetin shqiptar apo vizita te të afërmit janë arsyet që na dhanë qytetarët që u intervistuan në kufi gjatë së shtunës në mesditë, të cilët do të kalojnë fundjavën në Shqipëri.
“Quhem Demir Sadiku, unë kam apartamentin tim në plazhin e Durrësit dhe po shkoj për nja 2-3 ditë pushime”, u shpreh një shtetas.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





