TIRANE, 22 qershor 2013 – Kolegji Zgjedhor rrëzoi të shtunën pasdite kërkesën e PD dhe ka pranuar kërkesën e KQZ për të shqyrtuar ankimin e PS në lidhje me vendimin që nuk lejon vëzhguesit e zgjedhjeve të përdorin listat e votuesve për të identifkuar sipas tyre votuesit e dyshimtë. 

Kolegji Zgjedhor vendosi të rimblidhet në orën 21.30 të mbrëmjes së kësaj të shtune për të shqyrtuar kete ankimim. Në orën 19.00, Kolegji Zgjedhor u njoh me pretendimet e KQZ përmes juristes Dëshira Pasku, e cila kërkoi kohë për t’u njohur me përmbajtjen e ankimit. KQZ kërkoi afat deri nesër. 

Ndërkohë përfaqësuesi i PD në Kolegj, Ivi Kaso, kërkoi që ankimimi i PS të shqyrtohet nga Kolegji pas datës 26 qershor. Por PS, përmes Koli Beles, i cilësoi të dyja këto pretendime si justifikime dhe shkelje ligjore pasi sipas tij nuk mund të pritet dot brenda një afati 5 ditor. “Afati 5 ditor nuk pengon Kolegjin të shqyrtojë kërkesën tonë”-tha Bele.