TIRANË, 22 qershor 2013 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një deklarate për shtyp informon mbi ecurinë e shpërndarjes së materialeve zgjedhore.
Në këtë deklaratë bëhet me dije se “KQZ në bazë të urdhërimeve dhe afateve kohore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, përmes gjithë Administratës realizoi me sukses shpërndarjen e materialeve zgjedhore dhe fletët e votimit në 89 Zonat e Administrimit Zgjedhor”.
Sipas Zëdhënëses së KQZ, Drilona Hoxha, “duhet theksuar respektimi i këtij afati i cili erdhi si rezultat i planifikimit në kohën e duhur të infrastrukturës së logjistikës zgjedhore dhe të bazuar në një sistem të organizuar”.
Aktualisht çdo Komision Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) dhe Komision i Qendrës së Votimit (KQV) ka në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe materialet zgjedhore të domosdoshme për zbatimin e procedurave dhe përmbushjes së detyrave që, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, iu ngarkon këtyre komisioneve.
Zëdhënësja e KQZ thekson ndër të tjera se “i gjithë ky proces është kryer falë një bashkëpunimi shumë pozitiv të Ministrisë së Mbrojtjes që vunë në dispozicion mjetet e transportit, si dhe Policinë e Shtetit për shoqërimin e materialeve zgjedhore në të gjitha destinacionet”.
Ndër të tjera KQZ u bën apel të gjithë anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit për përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe paanësi, pavarësisht propozimit të tyre nga forca të ndryshme politike.
Të njëjtin apel KQZ bën edhe për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për anëtarët e Grupeve të Numërimit të votave, për përmbushjen e detyrave të tyre si gjatë ditës së votimit, ashtu edhe në procesin e rëndësishëm të numërimit e deri në tabelimin përfundimtar të rezultateve.
"Pavarësisht se janë të propozuar nga forca të ndryshme politike, përmbushja e detyrës së rëndësishme të anëtarit të KQV është vetëm respektimi me rigorozitet i kërkesave të kuadrit ligjor zgjedhor, dhe kjo duhet të jetë busulla e vetme orientuese në çdo veprim, qëndrim, procedurë.
Të njëjtin apel KQZ bën edhe për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për anëtarët e Grupeve të Numërimit të votave, për përmbushjen e detyrave të tyre si gjatë ditës së votimit, ashtu edhe në procesin e rëndësishëm të numërimit e deri në tabelimin përfundimtar të rezultateve.
Të gjithë anëtarët e komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta të angazhuar në strukturat zgjedhore, janë tashmë pjesë e administratës zgjedhore, janë vetëm në shërbim të votuesve shqiptarë, për të garantuar zbatimin me përpikmëri Kodin Zgjedhor dhe aktet nenligjore të nxjera nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve".
“Njëkohësisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garanton të gjithë votuesit shqiptarë, se në ndjekjen e procesit, do të zbatojë më korrektësi të gjithë kërkesat ligjore, duke marrë në rast nevoje masat e nevojshme, për të mos lejuar askënd të cënojë mbarëvajtjen e tij, për ti garantuar kështu çdo votuesi ushtrimin e qetë dhe të lirë të së drejtës kushtetuese të votes”, përfundon deklarata për shtyp e KQZ.





