– Njoftime kundërthënëse shqiptare dhe ndërkombëtare për lëkundjet e tokës në Vlorë: Dukat? Tërbaç e Brataj? Ora 12:41.9.29? Ora 10:41?
TIRANË, 22 qershor 2013 –Dridhen malet e Vlorës, teksa në mesditën e së shtunës ra një tërmet i fortë midis fshatrave të Bratajt (komuna me të njëjtin emër) dhe Tërbaçit (komuna e Horë-Vranishtit), por fat që lëkundjet ishin në thellësi të madhe, 13 km.
Rrjeti sizmologjik shqiptar ka raportuar se më 22 qershor, ora 10:41.9.29 (GMT) ose 12:41.9.29 (koha e Shqipërisë) ka rënë një tërmet i një force të moderuar, me forcë M=4.5, por me hipo-qendër në thellësinë 13 km.
Ngjarja sizmike, sipas departamentit të sizmologjisë të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, është lokalizuar në koordinatat 40.26°N, 19.65°E.
Nuk kuptohet pse sizmologët e Tiranës i vendosin lëkundjet e tokës në Dukat (bashkia e Orikumit), 3 km në vijë ajrore në juglindje të qytetit të Vlorës (shih etiketën e Institutit shqiptar).
Ndërkohë Google-earth (shih shigjetën e gjelbër në figurë) koordinatat 40.26°N, 19.65°E i lokalizon midis fshatrave të Bratajt (komuna me të njëjtin emër) dhe Tërbaçit (komuna e Horë-Vranishtit).
Por sajti “earthquake-report.com” raporton për lëkundje tërmeti ora 8:41 (GMT), ose 10:41 (koha e Shqipërisë), me M=4.6 / 4.5, në thellësi 10 km, në vijë ajrore 8 km në juglindje të Orikumit, ose 21 km në jug-juglindje të Vlorës, të regjistruara nga USGS, EMSC dhe GEOFON.
Gjithashtu sajti “earthquake-report.com” njofton se “gazeta shqiptare Civitas ka bërë të ditur për dëme të vogla. Nuk raportohen viktima për këtë moment”.
Me sa shihet, ka kundërthënie të forta për orën dhe lokalizimin e thellësinë në këto dy njoftime, madje flitet dhe për një gazetë shqiptare Civitas(!).
Ndërkohë, po më 22 qershor, sipas departamentit të sizmologjisë të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ora 5:54:36 (GMT) ose 7:54:36 (koha e Shqipërisë) ka rënë një tërmet me forcë M=2.5 dhe thellësi 12 km.
Lëkundjet e tokës janë lokalizuar në koordinatat 41.34°N, 20°E, 11 km në vijë ajrore në lindje të kryeqytetit, Tiranë, midis Qafëmollës dhe Derjes.
Info/
Sipas lokalizimit me Google-earth, tërmeti ka rënë midis fshatrave Tërbaç dhe Brataj në dy komuna të ndryshme të nënqarkut të Vlorës.
Kështu komuna Horë-Vranisht ka nën juridiksion fshatrat Bolenë, Kallarat, Kuç, Tërbaç, Vranishti, Qafa e Limit; kurse komuna Brataj mbulon fshatrat Brataj, Lepenicë, Gjorm, Velçë, Ramicë, Mesaplik, Matogjin, Bashaj, Vermik, Malas.
Sipas lokalizimit (place) të departamentit të sizmologjisë të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, tërmeti ka rënë në Dukat, i cili bën pjesë në bashkinë e Orikumit, bashkë me këtë të fundit dhe fshatrat Dukat, Dukat i Ri, Tragjas, Tragjas i Vjetër, Radhimë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





