TIRANE, 22 qershor 2013 – Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u bën thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke respektuar rendin dhe procedurat e nevojshme. Kreu i shtetit nënvizon se mosvotimi është një pasivitet i pafalshëm që nuk mund të justifikohet. 

“Të dashur dhe të nderuar bashkëqytetarë. Nesër do të votojmë, pra do të kryejmë aktin më të natyrshëm në një shoqëri të lirë, që është veprimi politik, qytetar, shoqëror më i rëndësishëm që përmban në vetvete thelbin e demokracisë. Si të tillë, kjo ditë dhe ky akt kërkojnë prej të gjithëve në përqëndrim, seriozitet, përgjegjshmëri për gjithçka që ka lidhje me këto votime. Të votosh provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh lirinë për veten dhe të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen. Të mos votosh është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë”,- thuhet në mesazhin e Presidentit Nishani. 

Presidenti i Republikës u kujton qytetarëve se dallimet politike nuk duhet t’i ndajnë, por t’i bashkojnë më shumë shqiptarët. 
Nishani thekson se “votimet duhet vlerësohen për rëndësinë që kanë lidhur me marrëdhëniet e vendit me botën, me të cilat liria, begatia, fatet tona të tashme dhe të ardhshme janë ngushtësisht të lidhura”. 

“Të votojmë duke respektuar në përgjithësi rendin, veçanërisht procedurat e votimit. Vetë ne si zgjedhës së pari, pastaj autoritetet e ngarkuara me zbatimin e atyre procedurave. Të bëjmë kujdes për një sjellje sa më qytetare gjatë ditës së votimit. Të votojmë me bindjen se të tjerët që votojnë parti të ndryshme votojnë ndryshe se mendojnë në mënyra të ndryshme, por së brendshmi jemi të gjithë të njëjtë dhe dallimi se për cilën parti votojmë, nuk është dallim që na ndan, por dallim që na bashkon. Të kuptojmë si duhet gjënë kryesore, se partitë dhe ideologjitë për të cilat votojmë janë disa, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një. Të mundësojmë sa më tepër të rinjtë të votojnë, posaçërisht ata që votojnë për herë të parë, që dita e nesërme të jetë një ditë e bukur. Votim të mbarë”,- përfundon mesazhi i Presidentit Nishani.