Kampionati italian i futbollit ka ulur siparin prej dy javësh, ndërsa të gjithë futbollistët kanë nisur të shijojnë pushimet. Të njëjtën gjë ka bërë edhe mbrojtësi i Lacios, njëkohësisht kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana. Ai ka përzgjedhur bregdetin e Dhërmiut për t’u relaksuar në këto ditë të nxehta qershor, i shoqëruar nga një mik i familjes dhe shokë të tij. Ndërkohë, gazeta “Panorama Sport” ka arritur ta shkëpusë pak nga pushimet për një intervistë ekskluzive, gjatë së cilës 29-vjeçari rrëfen jo vetëm planet e kësaj vere, por edhe të ardhmen futbollistike. Ai tregon arsyet se përse zgjodhi t’i kalojë pushimet në Shqipëri, i pashoqëruar nga e dashura e tij, si dhe komenton edhe situatën e Kombëtares së Shqipërisë në eliminatoret për Kupën e Botës…
 

Pas një sezoni tepër impenjativ, si me skuadrën e Lacios, ashtu edhe me Kombëtaren e Shqipërisë keni zgjedhur që t’i kaloni pushimet në bregdetin e Vlorës, më saktë në Dhërmi. Pse kjo zgjedhje?

Gjithmonë preferoj të jem në Shqipëri për të kaluar pushimet e verës. Kam zgjedhur Dhërmiun, pasi më pëlqen shumë si vend. Kam disa vite që e frekuentoj me miqtë dhe familjen time.
 

Frekuentoni gjithnjë të njëjtin vend?

I kam vizituar pothuajse të gjitha plazhet e Vlorës, por këtë herë miqtë më ftuan në një ambient ku nuk kisha qenë më parë dhe po më pëlqen shumë. Tashmë për mua është bërë një traditë që pushimet t’i kaloj në Shqipëri, aq më tepër që takoj edhe të afërmit e mi nga Kosova.
 

Të gjithë mendonin se Cana do t’i kalonte pushimet në krah të një femre, por në fakt keni zgjedhur shumë shokë…

(Qesh…) Jo, nuk jam vetëm. Pra, nuk jam single. Kam një vit që jam i lidhur me një vajzë dhe jam shumë i lumtur. Vitin e kaluar erdhëm së bashku në Dhërmi, por këtë vit ajo nuk mundi për shkak të impenjimeve shkollore. Ka për të dhënë provimin e fundit të diplomës. Ndaj, zgjodha të shoqërohem me një mik të familjes, që nuk është një femër e bukur, por përkundrazi. Plus edhe disa miq të mitë. Gjithsesi, fakti që nuk jam i shoqëruar nga e dashura, nuk do të thotë se kam probleme dhe se çdo gjë që është përfolur nuk është e vërtetë.
 

Ka shumë adresa me emrin tuaj në rrjete sociale. A përdor Lorik Cana “Facebook”, “Twitter” apo ndonjë rrjet tjetër për të komunikuar me fansat e tij?

Jo, nuk përdor asnjë dhe madje dua të sqaroj diçka. Në lidhje me ato që shkruhen në këto adresa që mbajnë emrin tim, janë vetëm trillime të njerëzve të tjerë. Unë, çdo mesazh që kam për fansat e mi, e bëj nëpërmjet faqes zyrtare të klubit të Lacios.
 

Të flasim pak për Kombëtaren. Si ju duket ecuria e deritanishme?

Shumë e mirë. Duhet të jemi realistë që, duke parë kundërshtarët, ne mund të ishim të fundit, por në fakt jemi të dytët. Kjo tregon që është bërë një punë e madhe dhe cilësore.
 

E kujt është merita kryesore për këtë?

Sigurisht që një meritë të madhe ka edhe trajneri De Biazi. Ai ka arritur të krijojë një grup me futbollistë profesionistë dhe të aftë për të përballur çdo kundërshtar. Ka futur frymën italiane dhe ajo është e njohur për rezultate të suksesshme.
 

Si u janë dukur prurjet e reja?

Çdo futbollist që afrohet në Kombëtare është cilësor. Unë e kam thënë gjithmonë që ne kemi nevojë për konkurrencë, çka duket se po i shtohet skuadrës sonë. Kemi shumë elementë për çdo repart dhe duhet të punosh shumë që të meritosh një vend si titullar.
 

Keni ndonjë pendesë për ndeshjet e deritanishme?

Nuk mund të them pendesë, por duhet të pranoj se në ndeshjen e dytë kundër Norvegjisë kemi humbur dy pikë. E kam fjalën për atë të luajtur në “Qemal Stafa”, kur ne ishim superiorë në fushë dhe mund të kishim shënuar edhe gol të dytë. Më vjen keq që nuk e fituam atë përballje, pasi i merituam tri pikët.
 

Mendoni se ndaj Sllovenisë do të jetë si një finale?

Për mua, të katërta ndeshjet e mbetura janë si një finale. Janë shumë të rëndësishme. Gjithsesi, unë kam besim të madh, pasi shtatori ka qenë një muaj fati për Kombëtaren tonë dhe jam optimist që do vazhdojë të jetë i tillë.
 

Cilat janë parashikimet tuaja për pozicionim e Shqipërisë në fund të eliminatoreve?

E thashë edhe më parë që na presin katër ndeshje mjaft të rëndësishme dhe të vështira njëkohësisht. Unë kam bërë disa llogari me veten dhe, nëse nga 12 pikët e mundshme ne arrijmë të marrim shtatë, atëherë sigurojmë vendin e dytë në grup, që do të ishte një arritje historike.
 

Sa i përket sezonit që sapo përfundoi me Lacion, a ishte pozitiv për ju?

Po, jam shumë i kënaqur, pasi arritëm të fitojmë edhe Kupën e Italisë, duke mundur në finale Romën. Unë e pata pak të vështirë në fillim, për shkak të dëmtimeve, por me kalimin e kohës u ambientova dhe nisa të aktivizohen më shumë. Mendoj se ka qenë me të vërtetë një edicion mjaft pozitiv.

Kush është Monika, e dashura e Lorikut 

Lorik Cana ka pranuar se, pavarësisht se ndodhet me miq për pushime, e dashura nuk e ka shoqëruar për shkak të impenjimeve shkollore. Madje, ai pranoi se ndihet mjaft mirë në lidhjen që zgjat më tepër se një vit. Por, kush është Monika, bukuroshja që i ka fituar zemrën kapitenit të Shqipërisë. Në një rrëfim të pak kohëve më parë, ai ka thënë: – “Me Monikën njihemi prej më tepër se një viti. Është studente në Arkitekturë. E dashuroj shumë dhe e plotësojmë njëri-tjetrin. Kurrë nuk dihet e ardhmja e një lidhjeje, por shpresojmë të shkojë gjithçka mirë. Është vajzë spontane në jetë dhe mundohet të përshtatet me rutinën time prej futbollisti. I di nevojat e mia dhe më mbështet”. Në fakt, vitin e kaluar, ai ka qenë në Dhërmi i shoqëruar pikërisht nga e dashura e tij italiane.

“Dua të luaj në Bundesligë, me Mavrajn nuk kam folur”

Lorik Cana është përfolur për një largim të mundshëm nga Lacio në fund të këtij sezoni. Gjithsesi, ai ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë edhe një vit në Itali. “Jam ambientuar shumë mirë në skuadër dhe kemi pasur një ecuri mjaft pozitive. Kjo më ka bindur që të qëndroj edhe një vit tjetër te Lacio. Më pas kam dëshirë të luaj në Gjermani, në Bundesligë”, ka thënë mbrojtësi shqiptar për “Panorama Sport”. Në fakt, për të janë interesuar disa klube gjermane, mes të cilëve edhe Hamburgu, i cili mendohet se ka bërë një ofertë konkrete për lojtarin.
Mavraj – Lojtari tjetër i Kombëtares është përmendur për një transferim te Lacio, gjithsesi Cana nuk pranon të jetë në dijeni të ndonjë tratative zyrtare. “Jam informuar nëpërmjet gazetave sportive, pasi drejtuesit e klubit nuk më kanë thënë asgjë për ndonjë tratativë zyrtare. Nuk kam folur as me Mërgimin për këtë çështje. Ajo që mund të them unë, është se Lacio kërkon futbollistë punëtorë dhe cilësorë. Për më tepër, konkurrenca është mjaft e fortë, jo vetëm te Lacio, por në çdo klub të Serisë A”, shtoi kapiteni kuqezi, duke lënë gjithçka të hapur për mundësinë e kalimit të Mavrajt në kryeqytetin italian.

“Loriku do qëndrojë akoma në Romë”

Babai dhe njëkohësisht menaxheri i Lorikut, Agim Cana, ka bërë me dije se djali i tij do qëndrojë edhe të paktën një sezon në Romë. “Loriku po kalon një periudhë mjaft të mirë sportive, sidomos në aspektin personal dhe dëshiron që të vazhdojë të japë kontributin për Lacion, të paktën edhe një sezon. Ai ndihet shumë mirë në Romë dhe, pavarësisht ofertave apo interesimit nga klube të tjera, ka dëshirë që t’i qëndrojë besnik Lacios. Mendoj se edicioni i ardhshëm futbollistik do jetë akoma më i suksesshëm për klubin, që sivjet fitoi Kupën e Italisë”, ka thënë Agim Cana.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kombetarja/140189/#ixzz2WsxeP3Oq