DURRES, 21 qershor 2013 – Gjatë këtyre ditëve kemi shtrënguar shumë duar, kemi folur me shumë miq e mbështetës, kemi premtuar se çfarë do të bëjmë në katër vitet e ardhshme dhe kemi treguar se si mund të ndryshojmë së bashku Shijakun, Durrësin dhe gjithë Shqipërinë.
Tani është koha që ne qytetarët të vendosim, cila është zgjidhja më e mirë. A duam të kemi në parlament një politikan që ndërron parti çdo dy vjet sa herë i prishen pazaret e politikës dhe biznesit?
A doni t’ia jepni besimin tuaj atyre që nuk kanë moral politik, që janë tregtarë flamujsh, që kur zihen me njëri-tjetrin e çojnë Shijakun deri në vëllavrasje, por një ditë harrojnë gjithçka dhe na vijnë këtu jo për të kërkuar falje, por për t’u vendosur mbi jetën tonë, të fëmijëve tanë dhe familjeve tona.
A duam të kemi një qendër të re qyteti, rrugë të reja, shkolla e kopështe për fëmijët tanë? A duam që qytetin ta kemi vetëm për numra mitingu apo të kemi si çdo qytet tjetër, një kinema të re, një Pallat Kulture të ri, një fushë sporti të re, një stadium të ri dhe një Pallat Sporti të ri?
Ne e njohim secilin prej nesh. Prej vitesh ju me keni provuar sa gjëra të mëdha arritëm kur punuam bashkë me ekipin e Shijakut. Sot kërkoj besimin tuaj t’ju dëshmoj se di të mbaj premtimet dhe me ekipin e talentuar të FRD-së, mund të bëjmë gjëra akoma më të mira për Shijakun, Durrësin, Tiranën dhe gjithë Shqipërinë.
Ju shikoni sot politikanë që shajnë e kërcënojnë nga jugu në veri, nuk kanë projekte, por vetëm përçajnë krahinat dhe besimet fetare. Shikoni kandidatë që vijnë t’ju blejnë vota e të bëjnë mashtrimin e radhës.
Apeli im sot është: Merrni pjesë në votime, merrni pjesë me zemër dhe me shqiprt, votoni për programin e njerëzit më të mirë, votoni për ata që nuk e duan votën tuaj për ta tregëtuar me pushtetin e radhës. Votoni numrin 66, Bamir Topi dhe Frymën e Re Demokratike.





