DURRES, 20 qershor 2013 – Aktivitetet përmbyllëse elektorale të së enjtes, Partia Demokratike i ka kurorëzuar me një miting madhështor në qytetin bregdetar të Durrësit.

Nga qyteti bregdetar, lidershipi i mazhorancës Berisha ka ftuar qytetarët durrsakë t'i besojnë 44, që rastësisht është dita e lindjes së tij, por dhe viti i lirisë së shqiptarëve.

Kryeministri lëshoi një ftesë për të gjithë shqiptarët socialistë dhe pa parti të bashkohen me programin e PD, të votojnë 44 në 23 qershor.

“Vota juaj në 23 qershor do jetë votë për vokacionin e shpirtit tuaj perëndimor, për të marrë statusin kandidat, hapjen e negociatave me BE. Miqtë e mi, për ju dhe gjithë shqiptarët dua t’ju pohoj se gjithnjë jam përpjekur por kam patur dhe fat, dhe fati më i madh është 44, se linda në ‘44. 44 është numri i lirisë së shqiptarëve, i ngadhënjimit të tyre. Lexoni pak për 29, 29 është dështimi, është Edi Rama, kujdes, kujdes prej atij numri. Nuk ka mbarësi, ka dështim. Shqiptare e shqiptarë, socialistë e pa parti bashkohuni me ne për mirëqënien, punësimin, zhvillimin dhe integrimin në BE”- tha ai.

Kryeministri Sali Berisha, duke folur në mitingun përmbyllës në Durrës, u zotua për rritje të rrogave dhe pensioneve, shtimin e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e turizmit dhe mbështetje për bizneset e fermerët.

“Fitorja e 23 qershorit është fitorja e të rejave dhe të rinjve të Durrësit, shkollimit cilësor, punësimit masiv të tyre, heqjes së cdo takse për tre vitet e para. Është përpjekja jonë e madhe që të rinjtë me energjitë e tyre të ngjisin vendin sa më lart në teknologjinë e informacionit. Fitorja jonë para së gjithash është fitore e përpjekjes sonë për barazinë gjinore. Me programin e PD ne ja dolëm të përgjysmojmë dallimin në paga midis burrave dhe grave, katër vitet që vinë përsëri do ta përgjysmojmë dhe ju do merrni rolin që meritoni. Gratë dhe vajzat e Durrësit duhet ta dinë që me PD karriera e tyre ka njohur dimensione si asnjëherë më parë. Fitorja e PD, fitorja e 44 për gratë shqiptare do jetë ligji për statusin e nënave kryefamiljare. Fitorja e PD, Durrësit dhe mbarë Shqipërisë në 23 qershor do jetë fitorja e grave dhe burrave të moshuar të këtij vendi, i garantoj se sdo ketë pension nën 150 dollarë, do subvencionojmë udhëtimin e tyre, faturën e energjisë elektrike, ilacet. Për fermerët fitorja e PD do jetë trefishimi i granteve, sistem modern vaditje, pagesë me para në dorë të TVSH për cdo makineri, infrastrukturë moderne të njëjtë me qytetet në cdo fshat të Shqipërisë, mbrojtje e plotë e prodhimeve të tyre bujqësore nga konkurenca e ndërkombëtarëve. Fitorja e 23 qershorit do jetë për Durrësin, dyfishimin e turizmit, bizneseve të tij”- përfundoi Kryeministri.