Raporti i gazetarit të CNN, Fred Pleitgen, gjatë luftimeve në Damask mes kryengritësve dhe forcave besnike të regjimit, ka shokuar botën, për shkak se në të shihet një vrasje me snajper.
Në xhirim, Pleitgen tregon se ndodhet në paralagjen e Damaskut, Jarmuk, bashkë me luftëtarët palestinezë, të cilët luftojnë në anën e presidentit Bashar al-Assad.
"Snajperët po punojnë, kështu që vdekja mund të ndodhë në çdo moment”, dëgjohet zëri i Pleitgen në reportazh.
Në ndërkohë, një luftëtar tregon se po sheh një snajperist të palës kundërshtare, dhe, pasi që shkrep një plumb, bënë të ditur që sapo e qëlloi.
Pas kësaj, Pleitgen e pyet komandantin, Amu Ihaba, se kush është armiku i grupit të tij, e ky i fundit përgjigjet se kryesisht bëhet fjalë për luftëtarë të huaj, të ardhur nga Emiratet e Bashkuara, Afganistani e Pakistani, megjithëse ka edhe sirianë e palestinezë.
Ndryshe, luftimet në këtë pjesë të Sirisë po zhvillohen edhe nëpër shtëpi, kështu që në xhirimin e transmetuar në CNN shihet vetëm një mur nga thasët e mbushur me rërë, i cili i ndan dy palët ndërluftuese.
Pas tërheqjes së kryengritësve, shihet sesi pas vetes lanë mure të shkatërruara nga projektilët, në të cilat kishin vendosur bomba dore, kështu që duhet pasur shumë kujdes që të mos këputet ndonjë tel që i aktivizon ato.
Veç kësaj, në xhirim shihet se si, gjatë pauzave mes dy luftimeve, ushtarët këndojnë këngë kushtuar al-Assadit.





