DURRES, 20 qershor 2013 – Reagimit të një grupi militantësh të Partisë Socialiste por edhe kandidatëve për deputetë të kësaj force politike, të cilët i kanë cilësuar arrestimet nga policia e Durrrësit në bashkëpunim me repartin e RENEA-s, si veprime politike, i është përgjigjur drejtori i Policisë së Durrësit Emri Vata.

Sipas tij arrestimi i tre personave me tendencë kriminale në Krujë, është pjesë e një operacioni të nisur nga policia e Durrësit në bashkëpunim edhe me forcat e RENEA-s me qëllim garantimin e rendit e qetësisë publike.

"Ne jemi vetëm në zbatim të ligjit dhe do të penalizojmë të gjithë ata që shkelin ligjin. Arrestimet e bëra në Krujë janë në kuadër të operacioneve që policia po bën në drejtim të ruajtjes së rendit e qetësisë publike. Ata janë persona që kanë shkelur ligjin duke mbajtur armë zjarri pa leje, ndaj dhe janë arrestuar. Unë nuk jam këtu për të komentuar asnjë deklaratë të subjekteve të ndryshme, por për të garantuar ligjin"- u shpreh drejtori i policisë së Durrësit Emri Vata.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/