TIRANE, 20 qershor 2013 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, mori pjesë në konferencën ekonomike të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, zhvilluar në Frankfurt, Gjermani këtë javë.
Konferenca me temë “Ndërlidhjet me eurozonën dhe dinamikat e konvergjencës afatgjate”, u organizua nga Banka Qendrore Evropiane.
Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues nga bankat qendrore evropiane të Eurozonës, si dhe të vendeve kandidate potenciale për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, përfaqësues nga institucionet financiare si dhe akademikë.
Gjatë punimeve të konferencës, të pranishmit diskutuan mbi lidhjet ekonomike që ekzistojnë ndërmjet vendeve të Eurozonës dhe atyre të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, mbi rëndësinë e qëndrueshmërisë ekonomike të këtyre vendeve në kushtet e krizës, si dhe mbi integrimin financiar të tyre duke iu përshtatur rregullave të reja të mbikëqyrjes në Evropë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Guvernatorit Fullani, theksoi se “vendet e rajonit të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ) kanë zgjedhur integrimin me BE-në si instrumentin kryesor për të siguruar një perspektivë ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë për qytetarët e tyre”. Në këtë konteks, vijoi ai, ne kemi ndërmarrë reforma strukturore të vështira; kemi ndërmarrë reforma ligjore dhe rregullative lidhur me këtë proces; si dhe kemi hapur tregjet tona drejt mallrave, shërbimeve dhe kapitalit nga BE.
“Mendoj se është e kuptueshme për ne që të presim angazhim afatgjatë dhe solidaritet nga partnerët tanë. Aktualisht, sfidat kryesore për stabilitetin financiar në rajonin e Evropës Juglindore përfshijnë kreditë me probleme, rritjen e ngadaltë të kredisë për ekonominë, problemin e financave fiskale dhe qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit”, tha Fullani.





