TIRANE, 20 qershor 2013 – Policia e Tiranës ka shoqëruar tre të rinj duke i akuzuar se kanë hedhur parulla fashiste në publik.

Tre të rinjtë, të shoqëruar në komisariatin nr. 1 në Tiranë, ishin pjesë e një grupimi të rinjsh që kundërshtonin protestën solidarizuese të thirrur nga një parti e afërt me qeverinë, në mbështetje të kryeministrit turk, Erdogan.

Partia e quajtur Lëvizja Shqipëria e Re, e kryesuar nga Edmond Vlashaj, kishte organizuar një tubim në mbështjetje të dhunës që kryeministri turk po ushtron ndaj protestuesve, që kanë më shumë se dy javë që kanë dalë në shesh për të kundërshtuar prishjen e një parku.

Por si kundërpërgjigje e kësaj farse kanë reaguar një grup të rinjsh, të cilët kanë kundërshtuar jo vetëm tubimin, por dhe dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Turqi.

Të rinjtë mbanin në duar pankarta “Poshtë fashizmi”, “Nuk e duam babën” e i janë ofruar grupit të njerëzve të thirrur nga Vlashaj, që duhet thënë se kryesisht ishin punonjës të administratës së kompanive të tij dhe studentë e pedagogë të universitetit Vitrina.

Pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë dhe Policia e Shtetit për të shpërndarë anti-mitingun.

Avokati Dorjan Matlija tregon për TemA se tre të rinjtë janë arrestuar me dhunë nga efektiva e policisë së Tiranës.

“Anti-mitingu ishte paqësor dhe të rinjtë që ishin grumbulluar aty i ishin përgjigjur thirrjes civile për të protestuar ndaj kësaj farse që dilte në mbështetje të Erdoganit. Policia i mori të rinjtë zvarrë, me dhunë dhe i plasi në komisariat ku u mbajtën për më shumë së dy orë. Argumenti i thënë nga efektivat e policisë për shoqërimin e tyre ishte se kishin organizuar një miting pa lejen e policisë”, thotë avokati.

Tre të rinjtë janë liruar më pas e po ndiqen në gjendje të lirë për organizim të protestave të jashtëligjshme.