·        Në zgjedhjet e 23 qershorit në qarkun e Durrësit janë ftuar të votojnë afro 319 mijë zgjedhës në 444 qendra votimi të 16 njësive administrative

DURRËS, 20 qershor 2013 – Mbi 3 mijë komisionerë, përfaqësues të forcave politike në zgjedhjet e 23 qershorit, janë trajnuar për pesë ditë radhazi në mjedise që ndodhen pranë shtatë komisioneve zonale të administrimit zgjedhor (KZAZ) në të gjithë qarkun e Durrësit.

Inspektori i Zyrës rajonale zgjedhore, Erald Stanaj tha se pas këtij procesi do të nisë trajnimi i vëzhguesve, listat e të cilëve janë dërguar në përputhje me kodin zgjedhor.

Stanaj pohoi se të enjten dhe të premten pritet të mbërrijnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve materialet zgjedhore, të cilat. në zbatim të Kodit. do të fillojnë të shpërndahen më pas nga shtatë komisionet zonale të administrimit zgjedhor drejt qendrave përkatëse të votimit. Ky proces do të nisë jo më shpejt se 15 orë se sa ora e fillimit të votimeve, – u shpreh më tej Stanaj.

Ai vlerësoi se deri tani në 16 bashkitë dhe komunat e qarkut bregdetar çdo përgatitje po shkon sipas parashikimit dhe standardeve të përcaktuara nga legjislacioni përkatës.

Info/

Territori i qarkut të Durrësit përfshin shtatë zona administrative zgjedhore me numrat rendorë nga 19 deri në 25. Territori i bashkisë së Durrësit ndahet në tre pjesë, të cilat kanë po aq zona zgjedhore me nr. 23, 24 dhe 25; katër zonat e mbetura të administrimit zgjedhor përfshijnë 15 bashkitë dhe komunat e tjera të qarkut të Durrësit dhe Krujës.

Zona zgjedhore 19 që përfshin 2 bashkitë dhe 4 komunat e rrethit të Krujës ka edhe numrin më të madh të qendrave të votimit (QV), 88 gjithsej. Ndërkaq, zona 21, në komunat dhe bashkitë Maminas, Gjepalaj, Shijak dhe Manzë janë përcaktuar 46 qendra votimi, më pak se në çdo zonë tjetër.

Në zonën 20 do të votojnë zgjedhësit e bashkisë së Sukthit dhe komunave të Ishmit dhe Katundit të Ri, ndërsa në zonën 22 ata të komunave Rrashbull dhe Xhafzotaj.

Në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë në qarkun e Durrësit janë ftuar të votojnë afro 319 mijë zgjedhës. Ata do të kenë në dispozicion 444 qendra votimi gjithsej, të shpërndara në 16 njësitë administrative vendore të qarkut, sipas një ndarje territoriale në shtatë zona zgjedhore. Në bazë të rezultateve të 23 qershorit, qarku bregdetar do të përfaqësohet në Kuvendin e legjislaturës së ardhshme me 13 deputetë gjithsej.

/g. k. & th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/