TIRANE, 19 qershor 2013 – Përfaqësuesi i BE, Ettore Sequi zhvilloi sot një takim me kryetaren e anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në një interesim për mediat, Sequi komentoi gjerësisht situatën aktuale në KQZ dhe propozoi se zgjidhja vjen direkt nga krerët e politikës.
“Sot ne jemi 4 ditë para zgjedhjeve, por nuk është kurrë tepër vonë që KQZ të plotësohet, por ne do e trajtojmë dhe do i rikthehemi kësaj çështje kur dhe në momentin, nëse ka probleme me çertifikimin e zgjedhjeve. Dhe siç e thashë janë udhëheqësit e politikës që duhet të zgjidhin këtë çështje. Dhe këtë që sapo thashë e kanë pohuar dhe Fyle e Ashton”.
I ndalur tek KQZ, Sequi tha se ka vendime që në KQZ duhen miratuar me shumicë të cilësuar dhe se zgjidhja që do të jepet për këtë institucion duhet të jetë e pranueshme nga të gjithë.
“Sa i përket përbërjes së KQZ, ka vetëm 4 anëtarë kur duhet të kishte 6. Por siç e dini ka disa vendime që duhet të merren me 6 vota dhe jo 4, me shumicë të cilësuar. Kështu që ajo ne presim është që KQZ ta bëjnë plotësisht operacionale. Ashtu siç tha Baronesha dhe komisioneri Stefan Fyle, duhet të jetë një zgjidhje që të jetë e pranueshme nga të gjithë. Për mendimin tim nuk është tepër vonë. Pra nuk është kurrë tepër vonë që KQZ të jetë plotësisht e formuar”.
Ambasadori i BE në vendin tonë vuri në dukje se KQZ është një çështje e lidhur ngushtësisht me besimin që kanë zgjedhësit në procesin zgjedhor.
Dhe këtu sipas Sequi, futen dhe liderët politikë që duhet të sigurohen që të ndodhin 2 gjëra.
“Ata duhet të sigurohen të ndodhin dy gjëra: Që së pari zgjedhësit shqiptarë të kenë besim te procesi, ta pranojnë rezultatin dhe të kenë respekt për rezultatin. Ndaj të njëjtin mendim me Reeker, se ne si BE jemi në dakordësi të plotë me SHBA për procesin zgjedhor dhe zgjedhjet. Kjo është tepër e rëndësishme, pasi zgjedhjet janë të rëndësishme për institucionet demokratike të vendit, janë test për të, për ecurinë apo progresin drejt BE”.
Sipas Sequi, ky proces zgjedhor ka rëndësi maksimale për aspiratën e Shqipërisë në integrimin evropian. Sequi citoi fjalët e Fyle dhe Ashton bërë dy ditë më parë në adresë të Shqipërisë.
“Ky proces zgjedhor është shumë i rëndësishëm për shumë arsye. Citoj Fyle dhe Ashton se këto zgjedhje janë të rëndësishme për institucionet demokratike, ata i kanë cilësuar zgjedhjet si proces kyç dhe test për Shqipërinë. Kjo është një gjë që është përsëritur nga të gjithë dhe kemi theksuar një çështje tjetër që besoj është e qartë për të gjithë. Një vend që aspiron të jetë vend në BE duhet të ketë zgjedhje që të jenë në standardet e në vendi evropian. Kjo është arsyeja, pse e monitorojmë shumë këtë proces”.
Mandej, Sequi kërkoi që shprehja që bëhet shpesh nga ndërkombëtarët si, ‘kërkohet progres nga Shqipëria’, nuk duhet të merret si boshe dhe pse është përsëritur shumë.
“Për ecurinë dhe progresin e Shqipërisë në BE, kur themi të ecet para nuk është shprehje boshe, por është kuptimplotë. Sepse kjo nuk ka të bëjë me financimet dhe fondet se BE, që jep konkretisht çdo vit 90 milionë euro për Shqipërinë. Por të shkuarit drejt BE, do të thotë përmirësim për të gjithë, dhe do të thotë një jetë më e mirë për të gjithë qytetarët. Pra mesazhi do të thotë, votoni, shprehni qartë detyrimin”.
I ndalur tek monitorimi, Sequi tha se do vëzhgohet jo vetëm procesi i votimit, por dhe ai i numërimit.
“Dhe ne vetë, dhe unë, kolegët e mi do dalim të vëzhgojmë 2 momente shumë të rëndësishme, pra ne do vëzhgojmë procesin e votimit dhe ditën e zgjedhjeve, si edhe procesin e numërimit pasi ne jemi shumë të interesuar për procesin e numërimit. Ne po ashtu jemi shumë të lumtur që shefja e OSBE/ODHIR dhe ajo ka treguar një udhëheqje shumë të mirë të këtij misioni”.





