TIRANË, 19 qershor 2013 – Aktiviteti sizmik që është shfaqur me denduri sidomos në qarkun e Elbasanit, është zhvendosur në jug të vendit, duke shkaktuar lëkundje të lehta dhe në zonën naftëmbajtëse në afërsi të Ballshit.
Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 19 qershor 2013, në mesnatë, ora 24:2:15, koha e Shqipërisë, ora 22:2:15 GMT, një tërmet të lehtë me forcë M=2.8.
Lëkundjet janë ndier në Visokë, 5 km në vijë ajrore në veriperëndim të qytetit të Ballshit, në koordinatat 40.64°N, 19.69°E.
Epiqendra ndodhej në thellësinë 17 km.
Nuk ka njoftime për viktima dhe dëme materiale.
Info/
Ku ndodhet
Fshati Visokë është një nga 12 fshatrat e komunës Qendër në nënqarkun e Mallakastrës: Belistan, Belishovë, Drenovë, Drenovë Fushë, Dukas, Kash, Lapulec, Lavdan, Lofkend, Ngraçie, Usojë, Visokë.
Shpërthime si tërmete?
Visoka njihet si vendburim nafte, që u zbulua në vitin 1963 dhe ndodhet 13 km në juglindje të qytetit të Fierit. Ndërkaq, në mediet shqiptare ka pasur raportime për shpërthime nëntokësore të kryera nga kompani kërkimi të huaja nafte që janë paraqitur si tërmete.
Ç’po ndodh vendburimin?
Më 27 janar 2009 Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e marrëveshjes hidrokarbure, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, në vendburimin e Visokës, ndërmjet ALBPETROL, sha-së dhe kompanisë gjermane IEC VISOKA, Inc. Po qeveria shqiptare njoftoi më 23 shkurt 2012 se ia ka kaluar këtë vendburim një kompanie tjetër të quajtur “Transoilgroup” nga Zvicra me zyra në Minsk të Bjellorusisë, Novosibirsk e Moskë të Rusisë, si dhe në Tiranë dhe Zvicër. Marrëveshja është e vlefshme për 25 vjet, duke filluar nga muaji shkurt 2012, me mundësi vazhdimi edhe për një pesë vjet të tjera. Prodhimi filloi në shkurt-mars 2012 në 243 puset ekzistuese të naftës, nga të cilat vetëm 13 janë në prodhim, njofton kompania.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





