DURRES,19 qershor 2013 – Ministri i drejtësisë Eduard Halimi, i cili kryeson listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, ka marrë pjesë në një takim të organizuar me mësues dhe pedagogë të këtij qyteti. Të pranishëm ishin edhe kandidatët e tjerë demokratë Oerd Bylykbashi, Kseanela Myderrizi dhe Arian Dedej.

Përpara 250 arsimtarëve, Eduard Halimi vlerësoi punën e tyre të palodhur dhe i cilësoi mësuesit si “njerëzit më të përkushtuar, të cilët falë punës së tyre ndikojnë në të ardhmen e shoqërisë.” Ndër të tjera, ai tha “se në tetë vite qeverisje, Partia Demokratike ka pasur gjithnjë në fokusin e saj mirëqenien e nxënësve dhe mësueseve, duke krijuar kushtet për përmirësimin e cilësisë së arsimit.” Duke përmendur disa nga arritjet e qeverisë, por edhe vijimësinë e tyre, kandidati Eduard Halimi e vuri theksin në 1300 shkolla të reja dhe dyfishimin e pagave për mësuesit.

“Ne respektuam mësuesit në këto vite, – tha Eduard Halimi. – Ju dyfishuam atyre pagat dhe premtojmë se gjatë mandatit të tretë qeverisës asnjë mësues nuk do të paguhet nën 700 dollarë dhe ky është një premtim të cilin do ta shihni të realizohet shume shpejt. Ai shtoi se “janë ndërtuar 1300 shkolla të reja.” “Mund t’i kishim investuar në çdo sektor ato të ardhura, mirëpo përzgjodhëm arsimin, sepse e dimë fare mirë që arsimi i fëmijëve tanë është një ndër çështjet kryesore të prindërve dhe gjithë shoqërisë,” – tha kandidati demokrat.

Pajisja e shkollave me laboratorë informatike dhe internet, përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës, kanë qenë disa nga arritjet e tjera të përmendura nga ministri i drejtësisë gjatë fjalës së tij. Më tej, ai është ndalur duke akuzuar kreun e Partisë Socialiste, Edi Ramën, si një njeri që përfaqëson një alternative kundër arsimit dhe mësuesve, kundër dijes dhe progresit.

“Më 23 qershor, do të zgjidhni ndërmjet dy alternativave, ku alternativa e Ramës është jo vetëm ofenduese, por edhe kërcënuese, – tha Eduard Halimi. – Ai thotë se 70 përqind e fëmijëve shqiptarë janë analfabetë dhe injorantë. Nuk është e vërtetë, fëmijët shqiptarë janë fëmijët më të zgjuar dhe kjo falë punës suaj. Rama thotë se mësuesit shqiptarë janë injorantë dhe se pas 23 qershorit ai do t’ju heqë ju dhe kolegët tuaj nga puna. Ta harrojë! Askush nuk mund t’ju heqë nga puna. Të gjithë bashkë do i themi jo një alternative denigruese për arsimin, për gjithë Shqipërinë.”

Duke iu referuar inagurimit më të fundit të qeverisë shqiptare në arsim, kampusit të ri të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Eduard Halimi tha se “ky ishte jo vetëm një prej investimeve gjigande në këtë fushë, por edhe më strategjiku,” duke iu referuar faktit se në të studiojnë mbi 14 mijë studentë dhe punojnë qindra njerëz të tjerë. Duke qëndruar te universitetet, ai nuk hezitoi të akuzonte sërish Ramën si njeri që kundërshton dijen dhe e cilësoi alternativën e tij si alternativën shkatërruese.

“Ai që del me autobusin e tij mavi e që kërcënon mësues e nxënës, thotë se universitetet janë kthyer në piramida e se prej tyre dalin studentë injorantë që nuk i duhen as tregut të punës e askujt, – vijoi kandidati demokrat Eduard Halimi. – Ta harrojë që do i mbyllë qendrat e dijes, sepse shqiptarët do e dënojnë me votë fyerjen që ky njeri i bën arsimit dhe fëmijëve tanë. Më datë 23 qershor, ne të gjithë sëbashku do të votojmë e do të përkrahim vazhdimësinë e reformave në arsim, përmirësimin e cilësisë në këtë fushë, do t’i themi po alternativës së Partisë Demokratike, sepse ne kemi një projekt konkret dhe serioz për zhvillimin e arsimit, për punësimin e të rinjve tanë përmes politikave të duhura fiskale, favorizuese për bizneset. Të gjithë bashkë, do t’i themi po alternativës që na ofron siguri dhe vijimësi. Shqiptarët nuk duan kërcënime dhe nuk ju duhet kthimi prapa, kur kanë arritur kaq shumë. Më 23 qershor, do e dënojmë me votë njeriun që ofendon mësuesit, nxënësit dhe studentët shqiptarë.”

Më tej, aktivitetin e kanë përshëndetur edhe kandidatët e tjerë Bylykbashi, Myderrizi e Dedej, duke thënë se alternative e refuzimit të dijes, e përfaqësuar nga Partia Socialiste, do të merrte refuzimin e gjithë shqiptarëve më 23 qershor.