DURRES, 18 qershor 2013– Durrësi do të jetë kantieri më i madh i rilindjes, për t'i hapur rrugën investimeve të shumta gjatë mandatit 4-vjeçar të socialistëve. Kështu, ka deklaruar kryetari i PS-së, Edi Rama që pas Kamzës ka marrë pjesë në mitingun përmbyllës të fushatës në Durrës, miting i organizuar në sheshin kryesor para bashkisë. Rama vlerësoi pjesëmarrjen masive dhe entuziazmin e shprehur të durrsakëve në këtë takim, duke sulmuar edhe rivalin politik Berisha.
“Kush do të marrë vlerësimin e duhur duhet të pyesë Durrësin, Kur durrsakët dalin kështu, si det në shesh domethënë katragjyshin e ka marrë lumi me gjithë partinë e tij familjare dhe pushtetin e tij të marrë fund. Ju dëgjoni çdo ditë një katragjysh me antiplumb që nuk e ka haberin se çdo të thotë të jesh i zhytur në borxhe për bukën e gojës, të të grabisin gjithë çfarë ke… dhe të mos kesh mundësi të marrësh mjekimin e duhur në spitale ku mjeku dhe infermieri të zhvasin xhepat…”,- tha Rama.
Ai iu drejtua banorëve të Durrësit, si njerëzve të afërt me të cilët ndan prejardhjen dhe u ndal në situatën e rëndë në të cilën ndodhet një nga objektet më të rëndësishme të Antikitetit në të gjithë rajonin:
"Të dashur bashkëqytetarë, siç e dini fort mirë, një pjesë e rrënjëve të mia i kam në këtë qytet të bekuar, ku romakët ndërtuan amfiteatrin e tyre më të madh jashtë Romës, ku për turpin e tyre e kanë lënë një gërmadhë. Nga këtu do të fillojmë Rilindjen e Durrësit. Durrësi është porta më e madhe e Shqipërisë në Mesdhe."
Duke vijuar më tej kryesocialisti u premtoi durrsakëve se Durrësi do të jetë kantieri më i madh i rilindjes, duke ia dedikuar Durrësit fjalimin më të gjatë të kësaj fushate elektorale.
"Ne do ndërtojmë kantierin më të madh të Rilindjes në Durrës. Ky është fjalimi më i gjatë në gjithë këtë fushatë. Por kjo është pamja më e mrekullueshme e gjithë kësaj fushate. Sot si asnjëherë më parë unë ndihem në shtëpinë time, këtu në Durrës. Janë duart e socialistëve dhe progresistëve shqiptarë, që me programin e Rilindjes do t’i kthejnë Durrësit pamjen e tij. Janë duart, që me programin për Rilindjen do të shërojnë një e nga një të gjitha plagët e këtij qyteti. Durrësi e ka zgjedhur kryebashkiakun Vangjush Dako, por në 23 qershor do të votojnë edhe shërbëtorët e tij në parlament. Do të investohet në 4 vite aq sa nuk është bërë deri më tani për këtë qytet”, tha kryesocialisti. Më tej ai premtoi legalizim falas të shtëpive për familjet e ardhura nga zonat e varfra të vendit, pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





