DURRËS, 19 qershor 2013 – Është hedhur dritë mbi plagosjen në Durrës të një efektivi të forcave policore.
Personi i plagosur mbrëmjen e së martës deklarohet se është oficer policie pranë Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ai është përfshirë në një konflikt çasti me disa persona në zonën e plazhit të Durrësit dhe ka mbetur i plagosur në krah. I demtuari është paraqitur mbrëmjen e kaluar në spitalin rajonal të Durrësit dhe nuk ka dhënë fillimisht detaje mbi ngjarjen.
Në spital ai ka deklaruar gjeneralitetet dhe se është punonjës policie në Kavajë. Më pas, grupi hetimor ka arritur të marrë deklarimin e oficerit të policisë Rigels Islami 25 vjeç me banim në Tiranë. Islami mbeti i plagosur gjatë konfliktit për motive të dobëta në Plazh.
Policia e Durrësit u njoftua mbi rastin nga spitali rajonal ku i plagosuri ishte paraqitur për t'u mjekuar. Rigels Islami është larguar nga Durrësi drejt spitalit të Tiranës dhe më pas ka lënë spitalin në gjendje të mirë shëndetësore. Burimet policore bëjnë të ditur se është arritur të identifikohet autori i plagosjes, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për ruajtje të hetimit, dhe po punohet për kapjen e tij.
Paraprakisht deklarohet se Islami nuk ka qenë në krye të detyrës kur është përfshirë në konflikt.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





