SHBA, 18 qershor 2013 – Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker në një intervistë për Zërin e Amerikës duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri,, tha se u takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Ai tha se ka rëndësi të madhe që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke mbajtur zgjedhje të rregullta.

"U takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Është sinjal i rëndësishëm që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke zhvilluar zgjedhje të rregullta, që të njihen si të tilla. Në rajon kemi parë zgjedhje të zhvilluara mirë, si në Mal të Zi, në Maqedoni, në Serbi, që kanë plotësuar standardet e zgjedhjeve të lira e të drejta sipas përcaktimit të OSBE/ODIHR-it. Unë kam besim se edhe në Shqipëri kjo mund të ndodhë, por ajo kërkon përpjekje serioze nga të gjitha palët, nga qeveria, opozita, të gjithë kandidatët, institucionet dhe të gjithë banorët, për të kërkuar që këto zgjedhje të jenë të mira për Shqipërinë dhe për të ardhmen e Shqipërisë", theksoi Reeker.

Teksa pak ditë nga ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit zyrtari amerikan shpreh shqetësimin për certifikimin e zgjedhjeve nga ana e  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi sipas tij duke mos e plotësuar institucionin kryesor të administrimit të votave, do të ketë vështirësi për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve dhe procesi i numërimit do të jetë moment kritik. 

"Ligjet e Shqipërisë, kushtetuta e Shqipërisë, parashikojnë procedura ligjore për këto raste. Siç e theksuam, duke mos e plotësuar KQZ-në, do të ketë vështirësi për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve. Këtë e kemi theksuar shpesh herë. Por megjithë managësitë e KQZ-së, si qeveria edhe opozita kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje. Mendoj se numërimi i votave do të jetë një element kritik, një pjesë e rëndësishme e procesit, është një nga elementët që nuk gëzon nivelin më të lartë të besimit të publikut, bazuar në historikun e manipulimeve elektorale në të kaluarën, prandaj u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të kenë përfaqësuesit e tyre në aparatin lokal elektoral dhe në grupet e numërimit të votave, që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të respektojnë deri në fund, në gërmë dhe në frymë, ligjet. Duke ndjekur ligjet, duke respektuar institucionet dhe pavarësinë e tyre, atëhere edhe elektorati, popullsia, banorët do të kenë besim tek procesi. Përpjekjet për të vonuar ose manipuluar procesin do ta gërryenin më tej besimin e publikut tek zgjedhjet në Shqipëri dhe tek partitë si përfaqësuese të ligjshme të interesave të qytetarëve. Qytetarët e Shqipërisë dhe unë kam folur me shumë prej tyre, presin që zgjedhjet të shënojnë përparim, ata duan të jenë krenarë nga zgjedhjet, të jenë krenarë nga ato që kanë arritur, të thellojnë më tej integrimin euro-atlantik, të tërheqin më shumë investime të huaja dhe të kenë atë qëndrueshmëri dhe begati që meritojnë", u shrpeh Reeker.