–         Letër e hapur e presidentit të organizatës “Albanians for a Democratic Albania!” drejtuar ish-sekretarit amerikan të Mbrojtjes

–         Aktvisti shqiptar-amerikan pyet ish-shefin e Pentagonit: A mund të më thoni se sa jeni paguar për të shkuar në Shqipëri në përpjekjet që po bëni për të lustruar banditë si Berisha dhe Mediu?

–         Herën tjetër kur të takoni mikun tuaj Mediu s’do të bënit keq ta pyesnit për kohën kur u arrestua në Itali për trafik njerëzish

DURRËS, 18 qershor 2013 – Kryetari i organizatës “Albanians for a Democratic Albania! – Shqiptarët për Shqipëri Demokratike!” (ADA) me seli në Nju Jork, Geri (Gary) Q. Kokalari është revoltuar nga vizita në Tiranë e ish-sekretarit amerikan të Mbrojtjes Donlad Ramsfelld (Rumsfeld) në prag të ditës së zgjedhjeve.

Kokalari i ka dërguar një letër të hapur, me tone të ashpra, madje, duke e akuzuar si bashkëfajtor me Berishën, Mediun, AEY-në për shpërthimin në Gërdec.

Njëkohësisht veprimtari shqiptar-amerikan aludon për korrupsion teksa e pyet: “a mund të më thoni se sa jeni paguar për të shkuar në Shqipëri?”

Madje, Kokalari përdor si argument një thënie të senatorit Xhon Mek-Kejn për Ramsfelldin: “Sekretari i Mbrojtjes më i keq në historinë e Amerikës”.

Ja teksti i plotë i letrës. 

Dokumenti

Më 17 qershor 2013

Zotit Donald Rumsfeld, c/o Rumsfeld Foundation, 1718 M. Street NW  #366 Washington, DC 20036

I nderuar Z. Ramsfelld:

Lidhur me vizitën tuaj në Shqipëri, më duhet t’ju them se ishte shumë shqetësuese t’ju shihja teksa përpiqeni të mbështesni një diktator të korruptuar si Sali Berisha dhe një bandit e vrasës imoral si Fatmir Mediu.

Por me sa shoh, ka njëfarë logjike në veprimet tuaja. Mbi të gjitha, kur ishit sekretar i Mbrojtjes me nismën tuaj u realizua projekti i demontimit të municioneve në Gërdec. Dhe ishte gjithashtu një nga nismat tuaja si Sekretar i Mbrojtjes që AEY arriti t’i shesë Departamentit amerikan të Mbrojtjes 300 milionë dollarë municione kineze të korroduara që u paraqitën si prodhim shqiptar.

Po ju vë në dijeni se kushtet e rrezikshme të punës në Gërdec, të cilat ishin rezultat i drejtpërdrejtë i negligjencës së qeverisë Berisha dhe Mediut që e kishte në varësi fabrikën e demontimit si ministër i Mbrojtjes, ishin shkaku i një shpërthimi masiv në mars të vitit 2008 që rezultoi në vdekjen tragjike të 26 njerëzve, përfshirë fëmijë, të cilët nuk duhet të punonin atje në vendin e parë.

Meqë jemi tek AEY-ja, po ju them se isha unë ai që mundësoi ekspozimin e skandalit në faqen e parë të gazetës The New York Times, gjithashtu në mars 2008, dhe që rezultoi në dënimin e katër amerikanëve për rolin që patën kur mashtruan qeverinë amerikane. Pavarësisht se Berisha dhe Mediu u përfshinë privatisht në koordinimin midis Gërdecit dhe AEY-së, asnjëri prej tyre nuk është hetuar për rolin që pati në këto skandale dhe se u mbrojtën përballë drejtësisë për shkak të imunitetit. A keni të bëni me këto maskime? Gjithashtu, ju lutem a mund të më thoni se sa jeni paguar për të shkuar në Shqipëri në përpjekjet që po bëni për të lustruar banditë si Berisha dhe Mediu?

Për mendimin tim, për arsye se ishte politika juaj që solli Gërdecin dhe AEY-në, së bashku me Berishën dhe Mediun, ju duhej të ndanit një pjesë të fajit – nëse jo ligjërisht, të paktën moralisht.

Dhe patjetër ju duhet të ndanit pjesën e luanit të fajit për gabimin tuaj masiv strategjik në Irak, që rezultoi në shkallë të madhe edhe me humbjet e panevojshme të jetëve të amerikanëve dhe fondeve monetare në pasojat e shmangshme të invazionit fillestar.

Herën tjetër kur të takoni mikun tuaj Mediu s’do të bënit keq ta pyesnit për kohën kur u arrestua në Itali së bashku me “kolegun” e tij Gazmend Mahmutaj, që u burgosën në Itali për trafik njerëzish.

Fakti që ju duhet të bëheni byrazer me qenie të tilla të ulëta si Berisha dhe Mediu, e bën të lehtë për mua të kuptoj pse Senatori Xhon Mek-Kejn (John McCain) ju quajti “Sekretari i Mbrojtjes më i keq në historinë e Amerikës”.

Sinqerisht,

Gery Q. Kokalari

Info/

Presidenti i Republikës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi më 17 qershor 2013 ish-Sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Rumsfeld Dekoratën e lartë të Flamurit Kombëtar, me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi, për kontributin e jashtëzakonshëm, si dhe për mbështetjen e fuqishme që Ai dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për reformimin, fuqizimin dhe modernizimin e Ushtrisë Shqiptare dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.

Donald Rumsfeld i shprehu Presidentit Nishani falënderimet për këtë nderim të madh dhe shtoi se nuk do t’i rezistonte tundimit për ta vënë këtë medalje, gjatë gjithë ditës dhe për ta pasur gjithmonë në mendjen dhe zemrën e tij. Ish-sekretari Rumsfeld nënvizoi gjithashtu se vlerat që Shqipëria i ka sjellë NATO-s janë të jashtëzakonshme, sepse kanë ndihmuar të gjithë anëtarët e saj, vlera që Shtetet e Bashkuara i njohin dhe i vlerësojnë.

Kryeministri

Kryeministri Sali Berisha priti më 17 qershor 2013 në një takim ish-sekretarin e mbrojtjes së SHBA-ve, Donald Rumsfeld.

Ish-Sekretari Rumsfeld i shprehu kryeministrit Berisha urimet më të ngrohta për arritjet e jashtëzakonshme e te gjithanshme që qeveria shqiptare ka shënuar në këto vite, duke i uruar gjithashtu suksese të mëtejshme në të ardhmen. Taksa e sheshtë 10% ishte një ndër arritjet më të rëndësishme që sekretari Rumsfeld ka vlerësuar, duke u shprehur se “uronte qe edhe SHBA te merrnin shembull dhe te vendosnin edhe në Amerikë taksën e sheshtë prej 10%”.

Ish-sekretari amerikan Rumsfeld, në veçanti u shpreh i impresionuar nga pjesëmarrja aktive dhe e gjerë e qytetarëve shqiptarë në fushatën elektorale për zgjedhjet  e përgjithshme të këtij viti dhe i shprehu kryeministri Berisha vlerësimet  e tij më të larta për modelin e fushatës, shumë aktive, në kontakt me qytetarin dhe të bazuar mbi çështje të cila prekin qytetarët, jetën e tyre te përditshme  dhe të ardhmes së tyre. “Jam jashtëzakonisht i impresionuar me dëshirën e qytetareve shqiptare për ta përshëndetur, për ta takuar, për t’i dhënë dorën kryeministrit Berisha, por edhe për pjesëmarrjen masive te tyre ne evenimentet elektorale te PD. “Presidentët amerikane do të ëndërronin të kishin nëpër evenimentet e tyre elektorale pjesëmarrjen që ju keni në takimet tuaja elektorale”, – i theksoi zoti Rumsfeld kryeministrit Berisha.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/