DURRËS, 18 qershor 2013 – Në orët e para të mëngjesit të sotëm rreth orës 02.00 një person i armatosur dhe i maskuar ka tentuar të grabisë një fondacion bamirësie në fshatin Bubq të Krujës.
Policia e Durrësit njofton për grabitje të mbetur në tentativë në fondacionin e bamirësisë “Betania” në Krujë.
Policia e Krujës, është vënë në ndjekje të grabitësit, menjëherë pas informacionit të marrë për ngjarjen, e cila ka ndodhur në një institucion bamirësie në fshatin Bubq të Krujës.
Falë impenjimit maksimal të strukturave të hetimit dhe punës operative të kryer, u arrit që autori e kësaj ngjarje jo vetëm të identifikohet në një kohë të shpejtë, por edhe të realizohet kapja e tij si dhe të zbardhet tërësia e rrethanave të kësaj ngjarje.
Pas identifikimit, dhe veprimeve te kryera në mënyrë profesionale nga ana e policisë në kohë rekord u arrit që në orën 12.00 të ditës së sotme, të kryhet arrestimi në flagrancë i shtetasit Enxo Kola, 21 vjec, banues në Tiranë.
Të dhënat e grumbulluara nga hetimet paraprake dëshmojë se ky shtetas, rreth orës 02.00, ka hyrë i maskuar dhe i armatosur brenda ambienteve të shoqatës Betania, e cila ushtron aktivitetet kryesisht në ndihmë të fëmijëve jetimë në fshatin Bubq të Krujës.
Në kohën kur ai është pikasur nga një 20-vjeçar, i cili trajtohej si i përhershëm në këtë fondacion, të dy janë konfrontuar fizikisht dhe nga ana e autorit është qëlluar në mënyrë të pavullnetshme një herë me armë zjarri, pa i shkaktuar dëme fizike 20-vjeçarit, dhe më pas është larguar.
Me punën e kryer ka rezultuar se shtetasi Enxo Kola, i identifikuar si autor i dyshuar i kësaj ngjarje, është person i cili është trajtuar dhe ndihmuar nga shoqata në fjalë. Indicjo për ndërmarrjen e kësaj vjedhje dyshohet të jetë bërë marrja dijeni nga ky shtetas mbi tërheqjen nga fondacioni të një shume parash.
Për llogari të hetimit, gjatë arrestimit këtij shtetasi iu gjet e sekuestrua arma e zjarrit, pistoletë e markës Zastava së bashku me krëhërin me 5 copë fishekë; dorezat dhe maska e përdorur gjatë tentativës së grabitjes.
Sipas policisë arrestimi i këtij shtetasi u krye për veprat penale të vjedhjes me armë të mbetur në tentativë e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe praktika proceduriale e rastit iu përcoll Prokurorisë së Rrethit Krujë.





