TIRANE, 18 qershor 2013 – “Pas zgjedhjeve do të flas dhe do të hap të gjithë thesin”. Kjo është deklarata e Dritan Dajtit në sallën e gjyqit ndërsa ka kërcënuar edhe policinë dhe trupën gjyqësore.

I akuzuari për vrasjen e katër policëve të skuadrës speciale operacionale në vitin 2009, ka paralajmëruar policinë të mos merret me familjarët e tij pasi do të sillet në të njëjtën mënyrë me familjarët e tyre.

Shpresoj të mos e keni urdhëruar ju shoqërimin e kushëririt tim. Shoqërimi në polici i kushëririt tim në  seancën e kaluar gjyqësore është presion. Të jeni të sigurtë, se edhe unë do të sillem në të njëjtën mënyrë me familjarët tuaj. Saimir Duçkollarin nuk e kam vrarë unë, ju e dini shumë mirë historinë e vrasjes së tij” iu drejtua Dajti trupës gjykuese.

Ndërkohë Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar sot dy avokatë të tjerë kryesisht ndërsa ka shtyrë për në 26 qershor seancën e radhës ndaj Dritan Dajtit.

Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka mundur të zhvillojë prej më shumë se 1 viti  asnjë seancë gjyqësore ndaj të dyshuarit si autor të masakrës së Durrësit.

Shumë nga avokatët e caktuar nga trupi gjykues, kanë refuzuar ta mbrojnë Dajtin, ndërsa të tjerë nuk kanë preferuar të paraqiten fare në proces.

Ndërkohë që procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajti shënon një prej rekordeve më të mëdha të zvarritjes së një procesi, vetë i pandehuri ka zgjedhur të largohet seance pas seance nga salla duke “ia lidhur” në këtë mënyrë duart drejtësisë.