TIRANE, 18 qershor 2013 – Prokuroria kërkoi sot 12 vite burg për Shemsie Kadrien, ish-bosja e firmës piramidale “Gjallica”.
Shemsie Kadria akuzohet se u ka marrë me mashtrim 20 milionë lekë të reja, 3 personave, të cilëve u kishte premtuar në këmbim të parave apartamente.
E në fakt ngjarjet e mashtrimit nuk kanë të bëjnë me vitin 1997 kur për shkak të firmave piramidale vendi u përfshi nga rrëmujat. Ngjarjet e mashtrimit datojnë në vitet 2009 ku pavarësisht mashtrimit me firmën piramidale, të tjerë njerëz i kanë besuar Shemsie Kadries shuma parash.
Seanca gjyqësore nisi kur në Gjykatën e Tiranës në muajin mars të këtij viti u regjistrua dosja penale e Prokurorisë së Tiranës, në të cilën Shemsie Kadria akuzohet për tri raste “zhvatjeje” në shuma të mëdha ndaj qytetarëve. Dosja penale e dorëzuar në Gjykatë, e cila është hetuar nga prokurori Gjergji Tako, thekson se në dy raste Shemsie Kadria ka arkëtuar para me anë të mashtrimit dhe në një rast, në vitin 2009, ka vënë në jetë skenarët që kishte përdorur edhe më parë deri në shkurt 1997, duke mbledhur para me përqindje.
Hetimet në lidhje me ish-bosen e kompanisë rentiere “Gjallica” kanë nisur në vitin 2010. Shkak për nisjen e hetimit është bërë kallëzimi i dy qytetareve që kanë rënë viktima të mashtrimit nga Shemsie Kadria. Shtetaset Esma Kapllani dhe Firdes Sulkollari kanë denoncuar në Polici se mashtrimi në dëm të tyre ka ndodhur në vitin 2008. Asokohe ato ishin njohur me Shemsie Kadrien, e cila u bëri një ofertë që t’u porositë për blerje disa apartamente. Për t’u bërë sa më e besueshme, Shemsie Kadria u prezantoi dy të dëmtuarave edhe “financieren” Violeta Qalliu.
Dy grave u ishte bërë ofertë nga e dënuara për mashtrim në shuma të mëdha për blerjen e apartamenteve te një kompani që po ndërtonte në Shkozë. Nga padia e bërë është mësuar se shtetasja Esma Kapllani ka paguar 2.134.500 lekë dhe Firdes Sulkollari ka paguar 2.290.00 lekë dhe 2700 dollarë te shtetasja Shemsie Kadria. Gjatë hetimit është mësuar se dy grave u janë dhënë mandate arkëtimi nga e akuzuara, për ta bërë gjithçka më serioze e të besueshme. Mandatet e arkëtimit mbajnë datat 7 qershor 2008 dhe 30 mars 2008. Pasi paguan paratë, e vetmja gjë që përfituan dy të dëmtuarat ishin mandatet e arkëtimit, pasi apartamentet e premtuara nuk i morën asnjëherë, ndërsa Shemsie Kadria shmangu çdo kontakt me to duke humbur gjurmët. Ndodhur në këto rrethana, dy gratë e dëmtuara bënë padi për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, më shumë se një herë.





