LSI miting përmbyllës në Elbasan
ELBASAN, 17 qershor 2013 – Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një miting madhështor në qytetin e Elbasanit, ku morën pjesë mijëra qytetarë dhe simpatizantë të kësaj force politike. Gjatë këtij takimi tepër entuziast u prezantuan serish kandidatët për deputetë të LSI-së në Qarkun e Elbasanit.
Lideri i LSI-së, Ilir Meta në fjalën e mbajtur në këtë miting u shpreh se LSI-ja duhet të fitojë që Elbasani dhe e gjithë Shqipëria të vihet në punë. Ai tha se LSI-ja do të fitojë, sepse ka programin më të mirë, që pengon rënien e mëtejshme të ekonomisë sonë, premton ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë sonë si edhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Ne do të fitojmë sepse të gjitha politikat tona në programin tonë synojnë në hapjen e vendeve të reja të punës në të gjithë sektorët me potencialet më të mëdha për të ndikuar në rritjen ekonomike të vendit dhe në punësimin e elbasanasve dhe gjithë shqiptarëve”.
Më tej, Meta theksoi se fitorja është kudo, por shprehu bindjen se Elbasani do të jetë zemra e fitores.
“Zemra e fitores do të jetë Elbasani, qendra e Shqipërisë dhe ne e duam këtë fitore me 23 qershor, të paktën dy mandate në qarkun e Elbasanit”, tha ndër të tjerash z. Meta.
Ndërkaq, kryesuesi i listës së kandidatët për deputet të LSI-së për qarkun e Elbasanit,
Edmond Haxhinasto u shpreh se ndihet i privilegjuar që pati mundësinë të drejtojë dhe kryesojë një ekip të shkëlqyer kandidatësh, që kandidojnë në qarkun e Elbasanit. Ai shprehu bindjen se ky është ekipi i përfaqësuesve më të mirë të qarkut të Elbasanit, duke i falënderuar për punën e shkëlqyer që kanë bërë.
“Elbasani i urtësisë, i kulturës dhe i shkollës, i artizanëve dhe i novatorëve nuk meriton ndryshe veçse më të mirën dhe këta janë më të mirët. Kulturën dhe gjuhën e Elbasanit e flet sot e gjithë Shqipëria. Por, nesër kur të flasë Elbasani do të flasë e gjithë Shqipëria sepse askush si Elbasani nuk ndjehet kaq në zemër të Shqipërisë sepse Elbasani ka një rini të mrekullueshme, energjike dhe të pastër. Sepse Elbasani ka burra dhe gra të nderuar dhe shumë punëtorë”, tha Haxhinasto.
Kandidati për deputet theksoi se askush si Elbasani nuk ka atë potencial të madh zhvillimi, për bujqësinë, për turizmin, për agrobiznesin, për industrinë mekanike, për arsimimin, për shëndetësinë.
“Elbasani kërkon ndryshimin, kërkon një jetë më të mirë, një jetë më e mirë që vjen nga puna, një mjedis më të pastër i cili vjen nga detyrimi që kemi ndaj të ardhmes dhe ndaj fëmijëve tanë”, deklaroi Haxhinasto.
Lista e kandidatëve për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Elbasanit
1. EDMOND LLAZAR HAXHINASTO
2. BUJAR SABRI KLLOGJRI
3. MIRANDA REXHEP RIRA
4. SHKELQIM ISLAM ELEZI
5. KASTRIOT ANDON BELSHI
6. DASHAMIR ASLLAN XHIKA
7. EDLIRA NURI ÇEKREZI
8. ALTIN SULEJMAN IDRIZI
9. REXHEP ISMAIL BIÇA
10. FLORIKA LEONIDHA TUKA
11. ZENUN SELIM BULLARI
12. RUDINA JANI MITA
13. KLAUDIA HALIT KRASNIKA
14. BEHAR DESTAN ALMETA





