Imazhi i kandidatëve për deputetë është një nga elementët që po bie dukshëm në sy gjatë kësaj fushate elektorale. Kandidatët i kushtojnë kujdes jo vetëm fjalimeve, por edhe veshjes së tyre që gjithashtu jep mesazhe. Pothuajse të gjithë kandidatët po tregohen të kujdesshëm në konsolidimin e një imazhi të kuruar me kujdes jo vetëm në takime të organizuara, por edhe ato të rastësishme. Ajo që bie në sy është fakti se kandidatët preferojnë të ndryshojnë veshjet e tyre dhe përgjatë takimeve që bëhen brenda një dite.
Ndër kandidatët që spikasin në këtë drejtim nga kampi blu, është padyshim kandidati dhe ministri i Drejtësisë Eduard Halimi. Në takimet e tij me elektoratin Halimi ka zgjedhur të kombinojë herë pas here veshjen dhe pamjen e tij, herë i veshur sportiv, herë më veshje serioze e herë herë më zyrtar. Bie në sy tek veshja e tij largimi nga ngjyrat e errëta dhe afrimi me ngjyrat e hapura, si e bardha, bezha, grija, por pa lënë pas dore dhe blunë, e cila duket se është jo vetëm një nga ngjyrat e tij të preferuara, por ngjyra simbol e forcës politike së cilës i përket.
Në këtë fushatë elektorale kandidati që kryeson listën e PD-së në Durrës, shfaqet i shpenguar dhe i lirshëm para elektoratit të tij. Duke ndjekur disa nga takimet elektorale të Halimit, konstatohet lehtësisht edhe korrektësia e mbërritjes në orarin e caktuar. Me një look e imazh të kuruar dhe aspak të shkujdesur, kandidati demokrat shfaqet gjithmonë në formë e korrekt para elektoratit të tij. Automjeti me të cilin lëviz, ndalon në çdo takim pak metra larg vendit ku është përcaktuar këndi i takimit, ndërsa shoqëruesit besnik, përveç stafit që mbulon median e shkruar e vizive, janë edhe disa nga drejtuesit e institucioneve në Durrës, duke veçuar këtu kryetarin e këshillit të Qarkut Armand Teliti.
Përpara se ti drejtohet podiumit, kënd në të cilin do të mbajë fjalën, nën tingujt e himnit të fushatës Halimi takon përzemërisht një nga një pothuajse të gjithë të pranishmit pavarësisht moshës së tyre, pjesë e elektoratit të kësaj force politike ose jo. Ai prezanton përpara elektoratit programin e forcës politike ku ai është pjesë, mes batutave dhe akuzave kundrejt rivalëve në këtë garë elektorale. Takimet e tij elektorale përfundojnë me të njëjtën përkujdesje ndaj pjesëmarrësve.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





