PD-PS, piramida të ndryshkura që mbajnë peng vendin
DURRËS, 16 qershor 2013 – „Nacionalizmi pa demokraci është mashtrim. Aleanca Kuq e Zi ka hyrë në politikë dhe do të futet në parlament për bashkimin e kombit shqiptar që është një proces i pandalshëm.“ Numri një në listën e AK-së për qarkun e Durrësit, Prof.Dr. Lisen Bashkurti duke mbrojtur tezën e nacionalizmit shqiptar, të cilën e vlerësoi larg ksenofobisë ballkanase, gjeti mbështetjen e pjesëmarrësve. Bashkimit me Kosovën i shtohet edhe çështja çame, që sipas tij ka trokitur në derë dhe kërkon zgjidhje: “Pa zgjidhjen e çështjes çame Ballkani nuk do të ketë stabilitet e siguri.“
Aleanca Kuq e Zi dhe kandidatët e saj në qarkun e Durrësit kanë organizuar një takim me simpatizantë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit.
Në fjalën e vet, Bashkurti renditi problematikat e realitetit të sotëm shqiptar, zvjerdhjen e moralit dhe vlerave në familje dhe shoqëri falë keq-qeverisjes dhe abuzimeve, ndërsa dy forcat kryesore të politikës i quajti piramida të ndryshkura të politikës. “AK do të bëjë dallimin duke ofruar dialogun dhe konsensusin e munguar në parlament.“- vijoi ai.
Duke u ndalur te ekonomia e vendit Bashkurti tha se është i domosdoshëm një sistem ekonomik kombëtar që t'i kthejë shqiptarëve naftën që vidhet nga Berisha, Fazlliç dhe kompania Taçi; një sistem që t'i kthejë kromin, rreth 420 milion ton krom mund të eksportohen; një sistem ekonomik që të kthejë industrinë e bakrit dhe zhvillimin e bujqësisë. "Kemi hedhur votën për katastrofën politike dhe pasojat ndjehen ngado."- shtoi nr.2 i AK-së.
Florentia Xheka, biznesmene në Durrës duke mbështetur kandidaturën e Lisen Bashkurtit përcolli përvojën e saj në botën e biznesit dhe vështirësitë me të cilat haset ai. Sipas saj, kasta në fuqi po e shkatërron biznesin që shlyen rregullisht taksat deri në qindarkën e fundit përmes konkurencës së pandershme, futjes së sasive të mëdha të mallrave pa shlyer detyrimet doganore, ndërsa „kjo qeveria po shuan edhe vlerat e shpresat e kombit“.
Në takim foli dhe kandidatja e AK-së në Durrës Elona Mina e cila ftoi qytetarët durrsakë të flakin tutje xhaketat e vjetra të politikës dhe të votojnë për zhvillimin. Gjatë takimit elektoral u shfaq dhe një videomesazh i kandidatit të parë Lisen Bashkurtit për votuesit e Durrësit dhe për të thyer atmosferën thellësisht elektorale, fjalimet politike u ndërthurën me këngë të interpretuara nga këngëtarët Kastriot Tusha, Kejsi Tola dhe Julian Gjojdeshaj.
/v.q. Agjencia e lajmeve „Dyrrah“/





