“Do t’i dedikohen projekteve për rrjetin e kanalizimeve, shtrimit të rrugëve të brendshme dhe shërbimeve të tjera publike për Durrësin”

DURRES, 15 qershor 2013 – Takimet e kandidatit për deputet Igli Cara, janë ndalur në lagjet 17 dhe 4 të qytetit të Durrësit, ku i është bashkuar, përkatësisht kandidatëve Eduard Halimi, në një town hall me banorët dhe Oerd Bylykbashit.

Në town hall-in e organizuar në lulishten e lagjies 17, duke iu përgjigjur shqetësimit të banorëve në lidhje me përmbytjet e shpeshta në këtë zonë, kandidati për një mandat të dytë për deputet, Igli Cara, i është përgjigjur se shumë shpejt do të përmirësohet jo vetëm rrjeti i kanalizimeve, për të shmangur përmbytjet, por në sajë të rimenaxhimit të granteve të qeverisë për Durrësin, këto fonde do të shkojnë drejtëpërdrejtë në investime publike e jo në xhepat e militantëve të PS.

“E njoh shumë mirë problemin e lagjies 17, përmbytjet sa herë që bie shi. Këtë e vuajnë edhe shumë zona të tjera të Durrësit, si Plazhi, apo edhe lagje të tjera. Pavarësisht se qeveria ka financuar projekte për përmirësimin e këtij rrjeti, ju e shihni edhe vetë që asgjë konkrete nuk është bërë, sepse mungon vullneti i pushtetit lokal. Edhe pse çdo vit, qeveria i kalon në formën e granteve të pakushtëzuara, plot 4 mln dollarë bashkisë së Durrësit, për t’i investuar në shërbime, rrjete kanalizimesh, rrugë, askush nuk e di ku përfundojnë këto para. Kjo situatë do të marrë fund. Grantet do të jenë të dedikuara për projekte që shkojnë direct në të mirë të qytetarëve të Durrësit, që i japin fund përmbytjeve në Plazh, në lagjet e Durrësit; që i japin fund rrugëve të paasfaltuara dhe problematike”, i është përgjigjur Cara, shqetësimit mbi përmbytjet në lagjen 17.

Disa nga shqetësimet e tjera, për të cilat Igli Cara është pyetur nga banorët, kanë qenë taksimi I biznesit të vogël, arsimi profesional dhe çelja e vendeve të reja të punës.

Më tej, Cara ka vijuar takimet e tij në lagjen 4 të qytetit bregdetar, ku sëbashku me kandidatët e tjerë Oerd Bylykbashi, Zamir Ramadani dhe Arian Dedej, i kanë bërë thirrje të votojnë për alternativën e zhvillimit dhe të integrimit, e jo për njeriun që mori peng statusin e Shqipërisë, duke bërë që shqiptarët të humbnin miliona euro investime vjetore.

“Të vetmen gjë që pati në dorë, ishte votimi i tre ligjeve dhe atë e mbajti peng 236 ditë, duke hequr nga xhepi i shqiptarëve 150 milionë euro investime për çdo vit. E bllokoi, sepse e dinte mirë që e gjitha kjo do të ishte meritë e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike dhe do të përkthehej në votë pro, për ne. Argumenti i vetëm që përdor Rama, kur kërkon ardhjen në pushtet, është rotacioni, sepse sipas tij, ne kemi 8 vjet në pushtet dhe duhet të ikim. Të ishte kështu, e bënim me marrëveshje, dy partitë e mëdha dhe nuk pyesnim qytetarët. Por jo, në pushtet meritojnë të qëndrojnë ata që zhvillojnë këtë vend”, ka thënë Cara.