TIRANE, 15 qershor 2013 – Një person është ekzekutuar me armë zjarri, mëngjesin e sotëm në kryeqytet.
Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hoxha Tasim” në Tiranë, ndërkohë që nuk dihen ende shkaqet dhe autorët e krimit.
Mësohet se viktima është shtetasi Luigj Dukagjini, pronari i një autoshkolle në Tiranë.
Sipas policisë, ai është qëlluar me 6 plumba, sapo ka dalë nga banesa e tij dhe për pasojë ka marrë plagë të rënda.
Dukagjini u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, ai nuk mundi të mbijetonte.
Ndërkohë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet dhe autorët e krimit.
Momentalisht po hetohet nëse viktima kishte ndonjë konflikt të mundshëm, që mund të ketë qenë shkaku i vrasjes së tij.





