Kandidati Eduard Halimi takohet me banorë të zonës së Plazhit dhe shpërndan 300 çertifikata legalizimi

DURRES, 15 qershor 2013 – 300 familje të zonës së Plazhit morën çertifikatat e legalizimit gjatë një takimi që ata patën me ministrin e drejtësisë dhe kandidatin demokrat Eduard Halimi. Të mbledhur në një prej shesheve në zonën e Plazhit, banorët dëgjuan altërnativën e Partisë Demokratike, alternativën e punës dhe zhvillimit, një alternativë krejt ndryshe nga alternativa e blookimit, e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Në këtë pikë, kandidati Eduard Halimi tha se “qeverisja e Partisë Demokratike do të vazhdojë të jetë një qeverisje në shërbim të qytetarëve.” Ai solli si dëshmi premtimet e mbajtura, që nga privatizimi i ish-kabinave në Plazh e Currila e deri tek përshpejtimi i proçesit të legalizimit.

“Kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike vijnë këtu me premtime të mbajtura, – tha Eduard Halimi. – Ne ju premtuam privatizimin e ish-kabinave të pushuesve këtu në Plazh, po ashtu edhe në Currila, siç premtuam edhe privatizimin e objekteve të tjera në Shkozet. Bashkia e Durrësit e pengoi këtë proçes, por ne ndërmorëm të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore dhe jemi duke e përfunduar këtë proçes. Shumë pak kanë mbetur dhe, brenda pak ditëve, të gjithë ju do të bëheni pronarë të shtëpive ku banoni.”

Në të njëjtën kohë, kandidati Eduard Halimi foli edhe për proçesin e legalizimit.

“Ne e dimë, legalizimi pati një lloj ngecje, – shtoi Eduard Halimi. – Por, me qëllimin për t’iu shërbyer qytetarëve, ne ndryshuam ligjet, bëmë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, dhe e kemi përshpejtuar këtë proçes. Sot do të ndajmë këtu edhe 300 çertifikata legalizimi, një dëshmi kjo se legalizimi do të kryhet dhe do të përmbyllet brenda këtij viti, ashtu siç kemi premtuar.”

Duke qëndruar në të njëjtën linjë, dhe duke premtuar që gjatë mandatit të ardhshëm qeveria do të ndërhyjë për t’iu shërbyer qytetarëve edhe atje ku qeverisja vendore nuk bën detyrën e vet, kandidati Eduard Halimi preku problemin e plazheve publike. Brezi i rërës në plazh administrohet nga Bashkia e Durrësit dhe, pavarësisht një vendimi të Këshillit Bashkiak që detyron lënien e një të tretës së plazhit si plazh publik e pa pagesë, e gjithë gjatësia e tij jepet në përdorim si plazh privat.

“Edhe në drejtim të administrimit të plazhit ne do të ndërhyjmë me ligj, – tha Eduard Halimi. – Ne nuk do të lejojmë që Bashkia e Durrësit të mos u shërbejë qytetarëve të vet. Përmes akteve të veçanta ligjore, qeveria do të marrë nën administrim plazhin dhe do të sigurojë gjithë hapësirën e nevojshme për plazh publik.”

Më pas, takimi mori formën edhe të një bashkëbisedimi, ku banorë të ndryshëm ngritën shqetësimet që ata kishin, që nga rrugët që Bashkia ua kishte lënë pa shtruar e deri tek pastrimi i mangët i hapësirave publike. Një prej tyre, Refail Tivari, bëri të ditur edhe arsyet e votës së tij kundër Partisë Socialiste: që nga vota kundër integrimit në NATO nga Namik Dokle, tek vizitat me pagesë të Klodiana Spahiut, tek lobimi i Blendi Klosit kundër liberalizimit të vizave, etj.

“Unë do të votoj kundër Partisë Socialsite, – tha ai. – Unë do të votoj kundër Klodiana Spahiut sepse bën edhe rolin e sekseres për spitalet private, siç do të votoj edhe kundër Namik Dokles sepse ka votuar kundër integrimit në NATO. Unë do të votoj edhe kundër Blendi Klosit sepse loboi kundër liberalizimit të vizave. Por, njëkohësisht, unë do të votoj edhe kundër Edi Ramës, pasi është i pamoralshëm.”

Mes entuziasmit, teksa takimi mbyllej, dhjetra e dhjetra banorë të tjerë zonës së Plazhit morën edhe çertifikatat e legalizimit të shtëpive të tyre.