DURRES, 15 qershor 2013 – “Në pak vite ne kemi investuar në Durrës më shumë se në të gjitha kohërat e marra së bashku, ne kemi ndërtuar mbi 500 km rrugë, ne ndërtuam terminalin dhe i dhamë Durrësit, fytyrën moderne, fytyrën perëndimore të vështrimit të saj nga deti. Ne ndërtuam universitetin dhe po ndërtojmë kampusin e tij, për të bërë Durrësin mijëravjeçar, tempullin e dijes ashtu siç e meriton, ku fëmijët tuaj, fëmijët e shqiptarëve të shkollohen me cilësinë më të lartë.
Ne do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj. Në vijë ajrore, pak qindra metra na ndajnë nga porti me i fuqishëm energjetik, ku çdo ditë investohet dhe se shpejti do të jetë porti më i fuqishëm energjetik i rajonit ku do të punësohen mijëra qytetarë. Në muajin korrik apo gusht fillon thellimi i portit dhe ankorimi i anijeve 44 mijë tonëshe, shumëfishimi i kapaciteti të tij, shtimi i madh i punësimit në port ku do të punësohen edhe qindra mijëra qytetarë të tjerë. Punësimi është motoja jonë, rritja e rrogave dhe pensioneve për ju është objektivi ynë më madhor, integrimi i Durrësit, integrimi i Shqipërisë në BE, është rruga jonë, është ylli ynë polar nga i cili do të bëjmë gjithçka për të arritur sa më shpejt.
Miqtë e mi, më 23 qershor ju zgjidhni midis dy modeleve, modelit tuaj, modelit të Sali Berishës, i cili është modeli juaj, i njeriut i cili njëlloj si ju beson tek djersa e ballit, beson tek puna dhe përkushtimi, i njeriut i cili gjithë jetën është përpjekur siç jeni përpjekur ju të përkushtohet,të punojë i palodhur, të bëjë gjithçka për më të mirën e qytetarëve, që ju ka shërbyer si mjek, ju ka shërbyer si politikan. Sali Berisha njëlloj si ju beson tek familja e tij, beson tek qytetarët e tij. Cili është modeli tjetër miqtë e mi?
Modeli tjetër është modeli i njeriut që 270 ditë në vit nuk shkelte në zyrën e punës. Modeli tjetër është modeli i njeriu të dështuar, i një buri aventurier që ndahet dhe martohet me gra sa herë vijnë zgjedhjet, për qëllime elektorale. Modeli tjetër është modeli i një njeriu që zhvillon në familje gjyqe me akuza nga më të tmerrshmet dhe të pavërteta ndaj familjarëve të tij. Modeli tjetër është modeli i cili fsheh dhe nuk deklaron pasuritë. Në rast se Sali Berisha 20 vjet në politikë njësoj si ju ka një apartament 120 metra katror dhe asnjë metër katror më shumë, ka qënë president, është kryeministër tani. Cili është modeli i shokut të autobuzit mavi? Është një vilë 57 metra e gjatë, një vilë mbi shpinë dhe asnjë qindarkë për të deklaruar se me se i ka ndërtuar. Fshehja e pasurive në një kohë kur kam deklaruar çdo qindarkë të fituar në 20 vjet me punën time, me rrogën time.
Modeli i Sali Berishës është modeli juaj, i dashurisë për vendin, i respektit për vendin dhe i qëndrimit për vendin. Në çdo rrethanë ne së bashku qëndruam në anën e drejtë, kaluam vështirësi, kaluam luftëra, por kombi sot është i lirë, secili prej nesh dha kontributin e tyre, por cili është modeli tjetër?
Modeli tjetër është ai i vendosjes në qafë të çelësit të artë Goran Bregovicit, këngëtarit të himneve të masakrave të serbëve mbi shqiptarët e Kosovës dhe pastaj shkon në Kosovë dhe u thotë ”Juve Sali Berisha u duket Skënderbe” Jo zoti Rama, Sali Berisha nuk ju duket Skënderbe atyre, por ata nuk mund ta kuptojnë kurrë, se si ti i vure çelësin e artë të kryeqytetit të Tiranës Goran Bregovicit, i cili ju thurte himne masakrave të serbëve mbi kosovarët. Prandaj kërko të falur. Modeli i tij është sulmi me grushta ndaj atij që e kundërshton, sharja përbuzja ndaj atij që e kundërshton, brutaliteti, pra këto nuk janë probleme të miat.
Problemet e mija janë çështjet tuaja, infrastruktura juaj, rrogat tuaja, punësimi juaj, zhvillimi juaj shkollimi i fëmijëve tuaj dhe shërbimet më të mira më cilësore. Por modelet janë modele dhe modelet rrezatojnë më shumë se çdo gjë tjetër."





